Universiteti Shtetëror i Tetovës është dhe do të mbetet një realitet i pakontestueshëm i shoqërisë shqiptare në Maqedoni

Shkruan: Doc. Dr. Vullnet Ameti,

u.d. Prorektor për shkencë në USHT 

Për të arritur një qëllim të caktuar, është bërë tashmë një praktikë e jona shoqërore, që vazhdimisht të gjenerohen kriza, për ta shpërqëndruar vëmendjen e opinionit publik, me preteksin se diçka nuk është në rregull, nuk shkon siç duhet, shpëtimtarët janë të gatshëm për veprim dhe në këtë mënyrë të përfitohet për interesa personale në kurriz të të tjerëve. 

Kjo metodë politike tani po aplikohet edhe në arsim, caku është Universiteti Shtetëror i Tetovës, kurse “shpëtimtarët”, pasi në prapaskenë përgatitën mirë e mirë terrenin, duke manipuluar përmes mediave dhe shpifjeve opinionin publik dhe politik dhe duke joshur një pjesë të stafit akademik të USHT-së me premtime gradimi në detyrë, tani filluan të shfaqen edhe vetë në sipërfaqe, për ta turbulluar edhe më tepër opinionin publik në vend, me qëllim të përfitimit personal dhe të klikës së tyre, e cila nuk ngopet duke thithur gjakun e këtij populli të përvuajtur. 

Në kohë krizash, nuk duhet harruar assesi që ngjarjet i diktojnë veprimet. Megjithatë, elita politike dhe intelektuale duhet të bëjë më shumë se sa, thjesht, të menaxhojë krizat. Për më tepër, ajo duhet t’i vendosë në një kontekst më të gjerë ngjarjet dhe të nxisë diskurse, të nxisë debate brenda përbrenda elitës intelektuale dhe në këtë mënyrë të kontribuojë në amortizimin e rrethanave dhe realiteteve tona shoqërore. Është kollaj të ndiqen dhe të mbështeten papagallët, fjalëmedhenjtë, frazagjinjtë, ata, të cilët nuk dinë asgjë tjetër pos të përfitojnë në kurriz të të tjerëve, mirëpo duhet të mësohemi që gjërat t’i shikojmë më ndryshe, duke hyrë në thellësinë e tyre, duke i njohur ato dhe duke vepruar për një zgjidhje të kënaqshme, e cila do të plotësojë nevojat tona shoqërore. 

Universiteti Shtetëror i Tetovës, qysh nga themelimi i tij, ka qenë vazhdimisht nën shënjestrën, fillimisht, të qeverive maqedonase, pastaj të klaneve dhe grupacioneve të ndryshme politike dhe shoqërore shqiptare këtu në Maqedoni. Të freskëta i kemi përpjekjet e maqedonasve, të cilët bënë çmos për ta shuajtur këtë tempull të dijes, por projekti i popullit shqiptar triumfoi mbi çdo përpjekje të tyre.

Të pafuqishëm përballë vullnetit të popullit shqiptar në Maqedoni, maqedonasit, së bashku me vazalët shqiptarë, idejuan themelimin e një universiteti privat, me moton e “kënaqjes së nevojës për arsim të lartë të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë” dhe shumë “partizanë” intelektualë të partisë politike në pushtet, e braktisën aso kohe këtë projekt kombëtar, gjoja për një ideal të madh, por, në thelb, ishin rrogat e majme mijëra euroshe dhe projektet e bollshme ndërkombëtare, kurse Universiteti i Tetovës, profesorëve të përvuajtur dhe të diferencuar, të cilët i qëndruan besnik idealit të popullit, mezi arrinte t’ua paguante pagën e tyre prej 50-200 eurove, që i siguronte nga kontributi i atdhetarëve nga bota anë e mbanë. 

Dhe sot, kur Universiteti Shtetëror i Tetovës hapëron fuqishëm përpara, duke u ngritur në një universiteti modern dhe premtues për një të ardhme më të mirë të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera, që jetojnë në Republikën e Maqedonisë, kurse nga ana tjetër e ardhmja e universiteteve private vihet në pikëpyetje, në sajë të komercializmit të tyre të tepruar dhe cilësisë së ulët të studimeve që ofrojnë, po këta individë, të cilët dikur e braktisën USHT-në dhe e cilësonin si universitet bizar, duke e hetuar situatën dhe të ardhmen e tyre të vagullt në një universitet, të cilit dita-ditës i shterohen fondet ndërkombëtare dhe i shkurtohen financat, si rrjedhojë e numrin të studentëve, i cili bie drastikisht nga viti në vit, hiqen si “shpëtimtarët” e USHT-së dhe kërkojnë ditë e natë mbështetje politike dhe intelektuale, me qëllim që të instalojnë klikën e tyre në Universitetin Shtetëror të Tetovës, i cili u ndërtua me gjakun e popullit, që më pastaj ta plaçkisin dhe ta katandisin si mos më keq. 

Struktura e tanishme udhëheqëse e USHT-së, edhe krahas shumë sukseseve të arritura, si shlyerja e borxheve prej 1 milion e dyqindmijë eurove të trashëguara, sigurimi permanent i pagave të profesorëve dhe të punësuarve në USHT, ulja e tarifave të studimit, çrrënjosjen e korrupsionit, falsifikimeve, frymimin e lirë të studentëve dhe profesorëve, largimin e kapove partiakë nga universiteti, të cilët për vite të tëra mbjellnin frikë te studentët dhe profesorati i USHT-së, ndjekja e një politike të shëndoshë të ndërkombëtarizimit të USHT-së, duke bërë partnerë bashkëpunimi universitetet më prestigjioze vendore, rajonale dhe ndërkombëtare si: Universitetin e Tiranës dhe Prishtinës, “Shën Kirili dhe Metodi” të Shkupit, Universitetin e Zagrebit, Gracit, Manhajmit, Shtutgartit, Universitetin e Ankarasë, Stambollit, Universitetin Trakia në Edrene në Turqi, Universitetin e Plovdivit, Veliko Tërnovës në Bullgari, Universitetin e Kalabrisë në Itali, Universitetin Jamk në Finlandë, afrimin e universitetit me 22 ndërmarrjet private më të fuqishme vendore si: Renova, Shmeki Kompani, Gemak, Dauti Komerc, Vezë Sharri, etj, fitimin e nëntë  laboratoreve më të sofistikuar nga programi qeveritar i R. së Maqedonisë, të cilët arrijnë vlerën mbi 2 milionë euro, me të madhe sulmohet nëpër media gjoja për keqmenaxhim dhe humbjen e kredibilitetit arsimor dhe akademik. Argumenti kyç i cili citohet me këtë rast, është disperzimi i universitetit nëpër qytetet e tjera me pupullsi shqiptare si Kumanova, Shkupi, Kërçova, Dibra e Struga, si dhe rangimi i ulët i Universitetit në Listën e Shangajit. 

Sa i përket pikës së parë, unë dua t’jua përkujtoj këtyre zotërinjve se Themelimi i Universitetit të Tetovës, si njëra ndër ngjarjet më të mëdha historike për shqiptarët e Maqedonisë, u bë në një kohë kur shqiptarët e Maqedonisë e ndjenin si kurrë më parë nevojën për dije dhe arsimim, për të shpëtuar nga kthetrat e errësirës dhe injorancës shekullore, gjithsesi të imponuar nga sundimet e ndryshme, historikisht të njohura për ne.

Prandaj, për ta sheshuar edhe më tej këtë pengesë të madhe shoqërore, u dizajnuan disperzimet, që e drejta e studimeve të mos i mohohet askujt, por, përkundrazi, e drejta e studimeve t’u mundësohet edhe të rinjve, që rrjedhin nga familje me mundësi të kufizuara financiare. Nga ana tjetër, ideja e disperzimeve ishte edhe një vizion politik, nga i cili sot hanë bukë këta zotërinj, të cilët nuk kursejnë asnjë mjet për të arritur qëllimin e tyre të përvetësimit të meritave të të tjerëve dhe përfitimit material.

Sa i përket rangimit të ulët në listën e Shangajit, dy janë momentet kyçe që duhet të shpalosen me këtë rast. Nga njëra anë merita kryesore u atribuohet aleatëve të tyre të brendshëm, të cilët kanë gëzuar gjithmonë poste të larta në universitet dhe në sajë të kësaj, kanë punuar vetëm që ujin ta çojnë në mullirin e tyre, duke kontribuar vazhdimisht që USHT-ja të ngecë në rrafshin arsimor dhe shkencor, kurse nga ana tjetër, aleatëve të tyre të jashtëm, që nënkupton se Lista e Shangajit nuk ishte asgjë tjetër, pos e motivuar politikisht duke pasur parasysh lidhjet e tyre ndërkombëtare, që i kanë krijuar në sajë të funksioneve të larta që i kanë pasur si ministra dhe ambasadorë.

E them këtë, sepse ne në universitet nuk kemi parë kurrë deri më sot të vijë ndonjë grup ekspertësh apo diçka të ngjashme, që të na testojë, intervistojë dhe, si rrjedhojë, të na rangojë. 

Si përfundim, do të doja të them se Universiteti Shtetëror i Tetovës e ka kryer misionin e vet në arsimimin e gjeneratave të reja, nga gjiri i tij kanë dalë njerëz, të cilët janë dëshmuar kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht, nga gjiri i tij kanë dalë gjenerata, të cilët sot e ndërtojnë piramidën shtetërore të Maqedonisë pas arritjes së Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe janë bartës të shumë projekteve qeveritare dhe shoqërore.

Universiteti Shtetëror i Tetovës do të vazhdojë edhe më tej ta kryej këtë mision kaq të shenjtë, dhe nuk do të ketë forcë që do ta ndalë në rrugëtimin e tij. Ai nuk ka nevojë për “shpëtimtarë”, aventurierë politikë, llafexhinj dhe zullumqarë, por për njerëz të ndershëm, me atribute të mirëfillta arsimore dhe shkencore. 

Lajme të ngjashme

Back to top button