Kosova i ofron statusin e refugjatit të kërkuarit nga Turqia

Autoritetet e Kosovës i kanë dhënë statusin e refugjatit, shtetasit turk, Ugur Toksoy, pas më shumë se katër muajve prej kur një prokuror tërhoqi kërkesën për ekstradimin e tij në Turqi me dyshimin se është anëtar i organizatës Hizmet të udhëheqësit fetar turk, Fetullah Gulen.

Avokati i Toksoy, Leutrim Syla, ka thënë se klienti i tij tashmë nuk mund të dëbohet në bazë të ligjeve në fuqi.

“Në bazë të kërkesës, në bazë të arsyes që ka kërkuar statusin e refugjatit, është përmbushur definicioni i refugjatit. Refugjati është një person që rrezikon të përndiqet”, ka thënë avokati Syla për Radion Evropa e Lirë.

“Në momentin që ka status të refugjatit ai nuk mund të ekstradohet. Duhet t’i hiqet statusi i refugjatit për t’u ekstraduar. Nuk guxon të dëbohet.”

Më 29 mars, Policia e Kosovës ka arrestuar dhe dëbuar në Turqi gjashtë qytetarë turq, pesë prej tyre punonjës në shkollën “Mehmet Akif”, ndërsa i dëbuari i gjashtë ishte mjek turk.

Syla ka thënë se klienti i tij e ka fituar këtë status para se gjashtë shtetasit turq të dëbohen.

“Ugur Toksoyt i është aprovuar statusi refugjatit me herët. Ky e ka marrë vendimin me datë 30 Mars kurse aprovimi i është bërë me datë 28. Do të thotë kjo ka ndodhur para ngjarjeve kur të tjerët janë dëbuar”, ka thënë avokati Syla.

Kryeministri i Kosvoës Ramush Haradinaj ka shkarkuar ministrin e tij të Brendshëm, Flamur Sefaj dhe shefin e Inteligjencës, Driton Gashi, pas dëbimit të gjashtë shtetasve turq.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button