Koha për të kënduar

Organizatori dhe urdhërdhënësi kryesor për 27 Prillin e përgjakshëm vazhdon të mbetet i paidentifikuar në aktakuzën e ngritur lidhur me këtë rast penal. Në aktakuzë shkruan qartazi që i gjithë operacioni ka filluar pas një bisede telefonike të zhvilluar mes njërit nga të akuzuarit me nofkën “Ninxha” dhe një personi të panjohur që është paraqitur nga Vjena në orën 14:30. Numri nga i cili personi i panjohur ka kontaktuar ka qenë i regjistruar në emër të një personi nga shërbimi i sigurimit të ish-kryeministrit Gruevski. Sa është e mundur që urdhrin për fillimin e aksionit më të përgjakshëm në dekadat e fundit në këtë shtet ta ketë dhënë truproja e ish-kryeministrit? Gjasat janë të pakta. Sa e vështirë është të vërtetohet se kush pikërisht ka biseduar nga ai numër në një shtet i cili është i njohur për përgjimet e bisedave telefonike? Aspak e vështirë. Duke u nisur nga këto supozime, bëhet e qartë pse shumë njerëz e kanë atë ndjesinë se dikush tallet me inteligjencën e tyre. Në momentin kur dihet fare mirë kush ishte në Vjenë atë ditë ndërsa prokuroria publike pohon me shumë vendosmëri që gjithçka ka nisur pas asaj telefonate, sa e vështirë është të gjendet urdhërdhënësi dhe njëherit personi kryesor i organizimit kriminal që rezultoi me ngjarjet e përgjakshme në Kuvend? Nuk do mend se nuk është fare e vështirë dhe kjo është tërësisht e realizueshme.

Lidhur me këtë indicje u deklarua edhe vetë personi i dyshuar në opinion se qëndron pikërisht pas asaj telefonate, ish-kryeministri Gruevski, dhe tha që po të ekzistonte vetëm shkronja D e çfarëdolloj dëshmie kundër tij se pikërisht ai ka qenë urdhërdhënësi i telefonatës misterioze, ai tani më do të ishte pas grilave. Ai pohoi që truproja e tij ka biseduar me “Ninxhën”, mirëpo tha që kjo ka qenë bisedë private mes vëllezërve për çështje familjare dhe asgjë më tepër. Rrjetet sociale eksploduan me “transkripta” nga biseda private mes vëllezërve, disa prej të cilave janë vërtet mbresëlënëse. Por asgjë konkrete nuk doli nga kjo bisedë, organizatori mbetet edhe më tej person tani për tani i panjohur për publikun.

Në ndërkohë, ngjarje të tjera janë duke ndodhur. Opozita paralajmëroi kthimin në Kuvend, ngritjen e interpelancës ndaj qeverisë aktuale, si dhe premtoi votim për ligjet të cilat lidhen me reformat e paralajmëruara në raportet e Pribesë. Ish-kryeministri dhe njëherit ish-kreu i partisë tani opozitare endet gjyqeve lidhur me aktakuzat e ngritura nga PSP, por tek të njëjtat mbrohet në liri, në sigurinë dhe komoditetin e shtëpisë së tij, ku asgjë, përveç pushtetit, nuk i mungon.

Në anën tjetër, të involvuarit tjerë në ngjarjet e 27 prillit rijnë mbyllur në burgun e Shutkës dhe presin ditën e gjykimit për akuzat që u ngarkohen e të cilat janë serioze. Vetë involvimi i tyre në ato ngjarje është tepër serioz dhe, sado që avokatët e tyre mundohet ti paraqesin si engjëj, sytë tanë nuk na gënjejnë, ne të gjithë i pamë këta persona duke hyrë me dhunë në Kuvend në ditën kritike. Tani ata përballen me akuza serioze, si që ishte serioze vepra e tyre e asaj dite, dhe rrezikojnë të marrin dënime nga 10 deri në 20 vjet burg. Bëhet fjalë për njerëz të shquar dhe profesionistë që në momentin e gabuar kanë qenë në vendin e gabuar dhe kanë bërë zgjidhjen krejtësisht të gabuar, gjë e cila do u kushtojë disa vjet nga jeta e tyre.

Ndërsa udhëheqësi i tyre shpirtëror mbetet në liri dhe përballet me disa akuza tjera, jo të kësaj natyre, dhe i kalon ditët në liri. Opozita kthehet ngadalë në kuvend, reformat vazhdojnë, vendi ecën para. Ndërsa të paraburgosurit rrezikojnë të mbeten të vetmit që do bartin përgjegjësinë lidhur me ngjarjet e përgjakshme. Si gjithmonë në këtë shtet, do të përgjigjen urdhërzbatuesit, ata të cilët i pamë të gjithë e të cilët s’kanë ku u ikin akuzave. Ndërsa urdhërdhënësi do të vazhdojë të mbetet person i panjohur. Përveç nëse…

…të paraburgosurit fillojnë të këndojnë. Është pranverë dhe nuk janë vetëm zogjtë ata të cilët pritet të këndojnë. Disa këngë tjera mund të sjellin drejtësinë në vend dhe të prishin praktikën e gjertanishme të bartjes së përgjegjësisë vetëm nga zbatuesit e urdhrave të dhëna nga Vjena. Është koha që të paraburgosurit ta shohin qartazi në sy të ardhmen e tyre. Vendi do të ecë para, ligjet do të votohen, ndoshta edhe në NATO e në BE do hymë, udhëheqësi i tyre do vazhdojë të mbrohet nga liria, ndërsa ata do të harrohen dalë ngadalë dhe do të bëhen pjesë përbërëse e burgut. Ndërsa nëse vendosin ta prishin heshtjen dhe të flasin, atëherë personin e panjohur nga telefonata misterioze e bërë nga Vjena nuk ka marrëveshje politike që e mbron.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button