Çështja e emrit, sa do të ndikojë vizita e Mogerinit dhe Han në çështjet delikate

Pas takimit të realizuar në Vjenë mes dy ministrave të jashtë të Maqedonisë dhe Greqisë, paralajmërohet vizita e përfaqësueses së lartë  për politikë të jashtme dhe siguri e Bashkimit Evropian, Federika Mogerini dhe eurokomisarit për Zgjerimin e politikës fqinjësore, Johanes Han në Maqedoni, me ç’rast njohësit e çështjeve politike thonë se mes tjerash patjetër që do të diskutohet edhe për çështjen e emrit.

Sipas tyre ata do t’i japin një shtytje procesit të negociatave i cili tani më është në fazë mjaft delikate.

Ish ambasadori Alajdin Demiri thotë për Portalb.mk se kjo vizitë nënkupton inkurajim që të gjendet zgjidhje pasi që tani kanë ngelur të zgjidhen ­çështjet më delikate në bisedimeve.

“Tani do të fillojë komplikimi i negociatave, për arsye se është faza e përcaktim të asaj që është substanciale se çka negociohet dhe si negociohet dhe natyrisht aty ka probleme. Tani kanë ngelur çështje më të rënda si identiteti, ndryshimi i kushtetutës  deh çështje tjera delikate. Kjo vizitë është në funksion të inkurajimit që të gjendet një zgjidhje por unë mendoj se në Maqedoni nuk kanë se çfarë të inkurajojnë më, ajo kompromiset i bëri dhe do t’i bën”, tha për Portalb, Demiri.

Ai shtoi se dyshja do të kërkojë edhe nga Greqia që të jetë më tolerante dhe procesi i emrit të zgjidhet këtë vit.

“Problemi ngelet  në Greqi dhe aty duhet më shumë të bëjnë presion. Ma merr mendja se edhe atje do të shkojnë, dhe besoj që do të jetë proces i cili do të kërkohet të zgjidhet këtë vit me ç’rast nënkupton tolerancë në kërkesat e Greqisë”, shtoi Demiri.

Nga ana tjetër ish ambasadori Nano Ruzhin thotë për Portalb.mk se Han dhe Mogherini pritet të takojnë edhe opozitën dhe presidentin, ku mund të diskutohet anëtarësimi në NATO dhe çështja e emrit.

“Vizita e dyshes ndërkombëtare është paralajmërim i mirë, megjithatë nëse analizojmë, Mogherini është e ngarkuar me politikë të jashtme dhe mendoj që do të përshëndet të gjitha punët proevropiane që i ka bërë kjo qeveri, dhe do të kërkohet  të punohet me më seriozitet për anëtarësim në NATO dhe BE. Ata vijnë me ambicie politike dhe besoj që do të takohen me partinë opozitare maqedonase që të shohin se a janë të gatshëm që të votojnë anëtarësimin e vendit në NATO, gjegjësisht e gjithë kjo varet nga çështja e emrit dhe  të theksohet se perspektiva e Maqedonisë është NATO dhe para se të gjithash Bashkimi Evropian. Besoj që gjithashtu do të takohen edhe me presidentin Ivanov dhe liderët e tjera të partive politike në vend”, tha për Portalb, Ruzhin.

Ndryshe, së fundmi pas 12 viteve, një ministër i Jashtëm i Greqisë ka zbritur me aeroplanin zyrtar në Aeroportin e Shkupit. Ai pati vizita me kreun më të lartë shtetëror, por edhe me liderët e partive politike.

Sipas asaj që deklaroi ai, Greqia “është për një kompromis të ndershëm”, ndërkaq homologu i tij, Dimitrov, deklaroi se Maqedonia nuk pranon emër të ngjitur i cili nuk do të përkthehej.

Kontesti 25 vjeçar

Ndryshe, Greqia dhe Maqedonia kanë çështje të hapur për emrin që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991. Në vitin 1995, Kombet e Bashkuara u bënë ndërmjetës në zgjidhjen e emrit duke dërguar person special si mediator. Deri më sot, ndërmjetësimi nuk ka sukses. Greqia pretendon se shteti i Maqedonisë është duke e përdorur emrin e regjionit verior grek i cili mban emrin Maqedoni, përcjellë Portalb.mk.

Megjithatë, pas ardhjes në pushtet të Zoran Zaevit, kjo çështje është riaktualizuar duke rifilluar bisedimet për kontest. Pas një takimi të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në Davos të Zvicrës, Zaev, njoftoi se Maqedonia ka vendosur që t’i ndryshojë emrat e autostradës dhe aeroportit të cilët e mbajnë emrin e figurës së kontestuar nga pala greke – Aleksandri i Maqedonisë. Me vendim të Qeverisë, autostrada u riemërua në “Miqësia”, ndërkaq aeroporti në “Aeroporti i Shkupit”.

Shpresat për integrim të Maqedonisë në NATO dhe BE, janë gjithnjë më të fuqishme, duke pasur parasysh se sinjalet e Komisionit Evropian janë se Maqedonia do ta rimerr rekomandimin për fillimin e bisedimeve hyrëse për anëtarësim në BE. Kjo u vërtetua edhe me publikimin e Strategjisë së KE-së për anëtarësimin e vendeve ballkanike në BE, por edhe nga kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, i cili në javën e fundit të shkurtit ishte për vizitë në Shkup. Edhe pse, Junker tha se nuk mund të japë datë për fillimin e bisedimeve, megjithatë, shtoi se Maqedonia është në rrugë të drejtë. Megjithatë, përveç menjanimit të kontestit për emrin me Greqinë, që të anëtarësohet në BE, Maqedonia duhet të punojë edhe në sundimin e ligjit, rritjen e ekonomisë dhe konkurrencës, zhvillimin e arsimit dhe sigurisë si dhe komunikimin digjital.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button