fbpx

Ndahet nga jeta në moshën 61-vjeçare ish-kapiteni i Anglisë e Chelseat

Ish-mesfushori i Anglisë dhe Chelseat, Ray Wilkins ka ndërruar jetë në spital në moshën 61-vjeçare. Wilkins, i cili mbahet mend për karrierën e tij të pasur, teksa ka luajtur edhe me klube si Manchester United, Milan, Rangers dhe QPR, ishte shtruar në sitalin “St George” të Londrës, ku po trajtohej pas një arresti kardiak.

Familja e tij falënderoi shokët dhe kolegët e Rayt, si dhe publikun e gjerë për mesazhet e shumta të ngushëllimit, transmeton TCH.

Chelsea njoftoi përmes rrjetit social se “ishte shokuar kur mësoi lajmin e ndarjes nga jeta të ish-futbollistit, kapitenit dhe ndihmëstrajnerit të bluve”. “U prehsh në paqe Ray, do të na mungosh përjetë”, vijonte mesazhi i klubit londinez.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë se Raymond Colin Wilkins ndërroi jetë mëngjesin e sotëm. Ai ka lënë pas bashkëshorten Jackie, vajzën Jade dhe djalin Ross, sikurse edhe nipërit e mbesat, Oliver, Frankie, Ava, Freddie, Jake dhe Archie”, ishte njoftimi i familjes së tij, që vijonte edhe me kërkesën për ruajtjen e privatësisë në këtë periudhë të vështirë.

Wilkins punonte së fundi si ekspert televiziv dhe radiofonik. Si lojtar, ai ka fituar Kupën FA me Manchester United në vitin 1983, si dhe kampionatin skocez me Rangersat në vitin 1989. Ai luajti 84 ndeshje me Anglinë, në 10 prej të cilave ishte edhe kapiten i skuadrës kombëtare.

Si trajner, ai regjistron karrierat me QPR-në, Fulhamin dhe kombëtaren e Jordanisë, ndërsa si ndihmëstrajner ka qenë mes viteve 1998-2000 te Chelsea, për t’u rikthyer edhe në vitet 2008-2010, kur punoi në krah të Guus Hiddink dhe Carlo Ancelottit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button