Serbët paralajmërojnë protesta të përditshme në veri të Kosovës

Përfaqësuesi i serbëve të Mitrovicës, Krstimir Pantic tha se për shkak të “presionit në rritje” ndaj serbëve të Kosovë, në veri të Mitrovicës sot fillojnë protesta të përditshme të qytetarëve.

Pantic ka bërë këto komente për radion lokale serbe ‘Kontakt Plus’, ku ka njoftuar se protesta e sotme do nisë nga ura kryesore e Ibrit e deri te ndërtesa e Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë.

“Me protesta qytetarët dëshirojnë që të shprehin mospajtim me politikën ndaj serbëve”, ka thënë Pantic, duke shtuar se një shkak i drejtpërdrejtë për organizimin e protestës është arrestimi i Jovica Milkovicit, transmeton Rel.

Milkovic u arrestua disa ditë më parë nën dyshimin se ka marrë pjesë në një grup që ka dëmtuar pasurinë e luajtshme të policisë së Kosovës dhe ka penguar në ushtrimin e detyrës zyrtare.

Pantic ka komentuar edhe bastisjen që EULEX-i ia ka bërë shtëpisë së familjes së Zvonko Veselinovicit.

Ai ka thënë se ky veprim është “një vazhdim i kërcënimit, i presionit që ky mision ndërkombëtar së bashku me institucionet e Prishtinës po i kryen ndaj serbëve në pjesën veriore të Kosovës”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button