Thaçi: Sfidat e korrupsionit t’i tejkalojmë me bashkëpunim, profesionalizëm dhe përkushtim

 Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në takimin e Këshilit kombëtar kundër korrupsionit me temë “Parandalimi dhe luftimi i korrupsionit përgjatë 10 viteve shtet”, vlerësoi se Kosova ka arritur progres në luftën kundër korrupsionit, por se duhet edhe më tej të punohet në këtë proces me bashkëpunim, profesionalizëm dhe përkushtim, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi i nivelit të lartë, që udhëhiqet nga presidenti Thaçi, mbahet për të diskutuar mbi parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, për të parë sfidat dhe të arriturat përgjatë 10 viteve të pavarësisë së Kosovës, si dhe për të disktuuar hapat që duhet të ndërmerren në të ardhmen.

Në takim i pranishë ishte kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Nehat Idrizi, kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Blerim Isufaj, kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci dhe drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli.

Presidenti kosovar vlerësoi se vendi i tij ka arritur progres të dukshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sipas tij, ky proces nuk është i lehtë, por duhet të vazhdohet përpara dhe të tejkalohet me bashkëpunim, profesionalizëm dhe përkushtim të secilit prej udhëheqësve të institucioneve shtetërore.

Duke theksuar se ndjekja, hetimi dhe gjykimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit ka rëndësi të madhe për Kosovën, presidenti Thaci tha se në mënyrë graduale është rritur numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve, ndërsa njëkohësisht janë ngritur kapacitetet e institucioneve të zbatimit të ligjit, si dhe është rritur buxheti për institucionet e drejtësisë.

Duke përmendi disa ligje të rëndësishme si kodi penal, kodi mbi procedurën penale, ligji për gjykatat, ligji për këshillin prokurorial, për këshillin gjyqsor të Kosovës, ligji për policinë, për agjencinë kundër korrupsionit, presidenti Thaçi tha: “Disa prej këtyre ligjeve janë ndryshuar apo testuar ose janë në proces të ndryshim-plotësimit si nevojë e kohës me qëllim të forcimit në mënyrë të vazhdueshme të sundimit të ligjit. Ne e kemi një legjislacion efektiv dhe në pajtim me atë të BE-së do t`i forcojmë mekanizmat institucional dhe ndërinstitucional”.

– Haradinaj: Kosova serioze në luftën kundër korrupsionit –

Ndërkaq, kryeministri Haradinaj tha se reformat e bëra në sistemin e drejtësisë kanë filluar që të japin rezultate duke konfirmuar përkrahjen e Qeverisë së Kosovës veçanërisht me anë të asaj buxhetore për institucionet e drejtësisë, rendit dhe të ligjit.

Haradinaj theksoi se Kosova është serioze në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe kundër të gjitha kërcënimeve të shoqërisë kosovare. Ai theksoi liberalizimin e vizave si çështje më urgjente në të mirë të qytetarëve të vendit.

“Perspektiva jonë evropiane drejt statusit të kandidatit besoj që do të përkrahet pikërisht me forcimin e rendit dhe ligjit me luftën kundër korrupsionit. Liberalizimi i vizave është një çështje më urgjente për të cilën qytetarët e vendit e kanë pritur gjatë dhe shpresoj shumë që në ditët që vijnë BE-ja do të mund ta japë edhe lajmin e shumëpritur nga qytetarët e vendit për liberalizimin e vizave”, tha Haradinaj.

Ndërkaq, kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, theksoi se lufta kundër korrupsionit duhet të jetë e vazhdueshme dhe e qëndrueshme dhe duhet të trajtohet çdo ditë nga institucionet kompetente për ndjekjen dhe ndëshkimin e këtij fenomeni. Lufta kundër korrupsionit, kryeprokurorit të shtetit, është një kusht thelbësor për integrimin e shtetit të Kosovës në BE dhe një tregues për suksesin apo dështimin e shtetit tonë.

Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri, bëri të ditur se janë rritur rastet e shqyrtimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke shtuar se Kodi i ri Penal pritet të miratohet shumë shpejtë.

Kujtojmë se, ish-presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga, kishte themeluar Këshillin Kombëtar Kundër Korrupsionit më 14 shkurt 2012. Këshilli në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjet në fuqi ka për qëllim bashkërendimin e punës dhe aktiviteteve të institucioneve e agjencive, në kuadër të kompetencave dhe të fushëveprimit të tyre, për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button