fbpx

Erdoğan: Bashkëpunimi Turqi-Rusi i fortë edhe përkundër provokimeve

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, tha se bashkëpunimi midis vendit të tij dhe Rusisë është forcuar edhe përkundër përpjekjeve të disa qarqeve për ta “helmuar” këtë bashkëpunim, raporton Anadolu Agency (AA).

“Kemi dëshmuar se disa qarqe janë përpjekur për ta helmuar bashkëpunimin turko-rus, por, falë Zotit, marrëdhëniet tona i kanë tejkaluar këto sprova të vështira. Pas çdo provokimi që ka rezultuar pa sukses, bashkëpunimi ynë është forcuar si hekuri i kalitur”, tha Erdoğan në një konferencë të përbashkët për media pas takimit me presidentin rus Vladimir Putin në Ankara.

Presidenti turk tha se vëllimi tregtar mes dy vendeve aktualisht ka kaluar në mbi 22 miliardë dollarë, por se Turqia synon që këtë vëllim ta rrisë në 100 miliardë dollarë.

Ai deklaroi se 4,7 milionë turistë rusë kanë vizituar Turqinë në vitin 2017, ndërsa në këtë mënyrë turistët nga ky vend kanë zënë vendin e parë në mesin e turistëve që vizitojnë Turqinë.

“Pritet që kjo shifër të arrijë në gjashtë milionë në vitin para nesh”, shtoi Erdoğan.

Erdoğan foli edhe në lidhje me samitin trepalësh Turqi-Rusi-Iran që do të mbahet nesër me pjesëmarrje të presidentëve të tre vendeve, në të cilin do të adresohet kriza në Siri, duke thënë se në këtë samit do të flitet rreth bisedimeve në Astana dhe do të këmbehen mendime në mënyra të ndryshme.

Ai tha se ka informuar presidentin rus lidhur me operacionin antiterrorist të Turqisë në rajonin e Afrinit në Siri, duke theksuar rëndësinë e këtij operacioni për sigurinë e Turqisë dhe integritetin territorial të Sirisë.

“Uroj që edhe më tej do të vazhdojmë të punojmë së bashku për ndërtimin e stabilitetit në Siri dhe garantimin e paqes dhe sigurisë”, tha Erdoğan.

Në lidhje me sistemin e mbrojtjes raketore S-400, për të cilin Turqia është dakorduar për ta blerë nga Rusia, Erdoğan tha se marrëveshja është arritur dhe se kjo çështje është e përfunduar.

“Aktualisht vazhdon procesi i prodhimit. Madje, Rusia ka treguar afërsi edhe më të fortë në lidhje me këtë çështje duke e tërhequr më herët afatin e dorëzimit”, deklaroi Erdoğan.

Ndryshe, Erdoğan dhe Putin sot përmes një video konference në Ankara morën pjesë në ceremoninë e hedhjes së gurthemelit të centralit të parë bërthamor të Turqisë, Akkuyu, që do të ndërtohet në provincën jugore turke Mersin.

Centrali bërthamor Akkuyu do të ndërtohet nga Agjencia Ruse e Energjisë Bërthamore Rosatom dhe do të përbëhet nga katër njësi, secili me kapacitet prej 1.200 megavatësh.

Marrëveshja ndërqeveritare për centralin Akkuyu midis Rusisë dhe Turqisë u nënshkrua në vitin 2010.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button