“Sllovenia mbështet anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe NATO”

 Kryeministri i Republikës së Sllovenisë, Miro Cerar, i cili qëndron për vizitë zyrtare dyditore në Maqedoni, pas takimit me homologun e tij maqedonas, Zoran Zaev, ka deklaruar se Sllovenia mbështet aspiratat euro-atlantike të Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian (BE), raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Zaev, i cili priti homologun e tij slloven me nderime të larta shtetërore para Qeverisë së Maqedonisë, tha se në takimin e sotëm me homologun e tij slloven është konfirmuar miqësia tradicionale midis dy vendeve, si dhe theksoi se Maqedonia dhe Sllovenia ndajnë të njëjtin vizion për stabilitet, zhvillim ekonomik dhe vlera evropiane.

Duke theksuar se të dy vendet së bashku punojnë në të ardhmen euro-atlantike të të gjithë Ballkanit Perëndimor, kryeministri maqedonas tha se, “Sllovenia është një shembull i mirë se si përparohet në një plan ekonomik dhe euro-atlantik, ndërsa sot morëm edhe një konfirmim se në Slloveni kemi një aleat të fortë për aspiratat tona për anëtarësim në NATO dhe BE”.

Kryeministri Zaev poashtu theksoi se Maqedonisë i nevojitet mbështetje në prag të dialogut të ri të përforcuar me BE-në, i cili zhvillohet në kuadër të zbatimit të Strategjisë së Zgjerimit të BE-së.

“Ne, si qeveri, besojmë se do të marrim një rekomandim të pastër nga Komisioni Evropian në gjysmën e dytë të këtij muaji, me çka në samitin e muajit maj midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor në Sofje dhe në Këshillin e BE-së në muajin qershor, të hapen kushtet që Maqedonia të marrë një datë për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE”, deklaroi kryeministri Zaev, duke shtuar se kjo do të jetë një faqe e re për Maqedoninë dhe qytetarët e saj.

Në pyetjen e gazetarëve për vizitën e mundshme të përfaqësueses së lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Federica Mogherini dhe komisionerit të BE-së për Politikë të Fqinjësisë dhe Negociatave, Johannes Hahn, kreu i Qeverisë së Maqedonisë bëri të ditur se vizita mund të ndodh më 18 prill kur në Maqedoni do të mbahet Samiti Digjital i vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Cerar: Në krahasim me vitin e kaluar shkëmbimi tregtar Maqedoni-Slloveni është rritur me 10,4 për qind

Nga ana tjetër, kryeministri Cerar tha se Sllovenia dhe Maqedonia janë dy vende miqësore në të gjitha aspektet dhe kanë një bashkëpunim të shkëlqyer në fusha të ndryshme. Siç tha ai, vendi i tij Maqedoninë e sheh si një partner dhe aleat të rëndësishëm në fushën e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe teknik.

“Sllovenia mbështet Maqedoninë në përpjekjet e saj për t’u bashkuar me BE-në dhe NATO-n. Jam i kënaqur që sot me ne kemi një delegacion të madh të ekonomisë. Sot do të vazhdojmë dhe mund të jemi të kënaqur, sepse konstatuam se shkëmbimi i mallrave në krahasim me vitin 2017 është rritur 10,4 për qind, që do të thotë se po përmirësohet, por ka ende shumë hapësirë për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik”, deklaroi Cerar.

Kryeministri slloven porositi se stabiliteti politik është thelb i bashkëpunimit të suksesshëm në zhvillimin ekonomik, por më pas edhe në fusha të tjera.

“Më pëlqen fakti që Maqedonia shikon në të ardhmen dhe për këtë arsye ne duam zhvillimin midis dy vendeve dhe duam vende të hapura me investitorë cilësorë. Në të njëjtën kohë, ne duam të ofrojmë siguri dhe mbrojtje, sepse mbrojtja është një nga vlerësimet kyçe në Evropë dhe më gjerë në botë, ndërsa ne edhe në atë fushë bashkëpunojmë në mënyrë të shkëlqyer”, tha Cerar.

I pyetur për një zgjidhje të mundshme për mosmarrëveshjen e emrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, kryeministri Cerar tha se Sllovenia mirëpret faktin se bisedimet po intensifikohen, duke shprehur besim se është koha e duhur për të arritur një marrëveshje.

Në kuadër të vizitës dyditore të delegacionit të Qeverisë së Sllovenisë në Maqedoni, gjatë ditës së nesërme kryeministrat e të dy vendeve do të marrin pjesë në biznes forumin slloveno-maqedonas, i cili organozhet nga Oda Ekonomike e Maqedonisë në bashkëpunim me Ambasadën sllovene në Shkup, me qëllim promovimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button