Ilegalët e veriut kërcënojnë EULEX-in

Pas rreth tre orë bllokade të automjeteve të EULEX-it nga ana e banorëve të fshatit Dolan afër Zveçanit, në veri të vendit, ku pjesëtarët e EULEX-it kishin bastisur shtëpinë e kriminelit Zvonko Veselinovic, në fshat kanë arritur disa nga krerët e strukturave paralele të komunës së Zveçanit, të cilët arritën marrëveshje për zhbllokimin e rrugës.

Burime nga veriu kanë bërë të ditur se pas bisedave të kryetarit ilegal të Zveçanit, Dragisa Milovic, me banorët e Dolanit dhe pjesëtarët e EULEX-it, të cilat kanë zgjatur rreth gjysmë ore, është arritur marrëveshja që banorët ta zhbllokojnë rrugën, ndërsa automjetet dhe pjesëtarët e EULEX-it të tërhiqen në drejtim të Mitrovicës.

“Një demonstrim i tillë i forcës çfarë kanë aplikuar sot pjesëtarët e EULEX-it ndaj banorëve serbë të fshatit Dolan, për ne është krejtësisht i pa pranueshëm”, ka thënë Milovic, raporton Kosovapress.

Sipas tij, kjo është demokracia dhe drejtësia e tyre për të cilën ata flasin.

Ai ka theksuar se qëllimi i EULEX-it është të frikësojnë serbët, por, siç ka thënë ai, një gjë të tillë nuk do të lejohet më në asnjë mënyrë, duke paralajmëruar edhe ndërprerjen e çdo bashkëpunimi mes të ashtuquajturës komunë të Zveçanit me këtë mision. /Telegrafii

Lajme të ngjashme

Back to top button