FIFA lejon Kosovën të luajë ndeshje ndërkombëtare

FIFA, institucioni më i lartë i futbollit botëror, i ka dhënë dritë të gjelbër përfaqësueses së Kosovës të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare në futboll. Lajmin e ka konfirmuar zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli, duke u mbështetur në autoritetet më të larta të FIFAs.

Vendimi është marrë gjatë mbledhjes së fundit që ka zhvilluar Komiteti Ekzekutiv i FIFA-së, në Budapest të Hungarisë.

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, i cili gjatë javës së fundit ka zhvilluar një aktivitet të ngjeshur në këtë drejtim, ka shprehur falënderimin e tij për mbështetësit kryesorë të Kosovës në këtë proces, z. Franc Beckenbauer dhe z. Ali Shen.

Bekenbauer, ish-president i gjigantit gjerman Bayern Munich, vizitoi Kosovën një vit më parë, me ftesë të Presidentit Pacolli, i cili i ndau edhe titullin “Ambasador nderi i Kosovës”. Që nga ajo kohë, z.Bekenbauer është angazhuar fuqishëm në ndihmë futbollit të Kosovës.

Ndërkaq, Ali Shen, ish-president i klubit të futbollit Fenerbahce nga Turqia, ka qenë njëri ndër figurat kyçe që ka dhënë kontribut të madh në faktorizimin e futbollit kosovar.

Gjithashtu, sipas zotit Pacolli, kjo e arritur ka ardhur edhe falë një angazhimi të gjatë dhe intensiv të gjithë institucioneve të Republikës së Kosovës, dhe të kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri. /Telegrafi

 

Lajme të ngjashme

Back to top button