Selmani: Qeveria blen gazetarët me para

Në Maqedoni mediet shumë pak informojnë, ato janë bërë zëdhënës të qendrave të fuqive politike, na bombardojnë me të pavërteta apo gjysmë të vërteta, bëjnë ndryshim të fakteve me qëllim që ti shërbejnë Qeverisë. Kështu u shpreh kryetari i Shoqatës së gazetarëve, Naser Selmani në ditën e dytë të konferencës “Liria e të shprehurit në internet“ në temën “Censura në mediume”.

“Sa më shumë përkrahin Qeverinë aq më shumë para kanë gazetaret. Qeveria në Maqedoni e blen vëmendjen e medieve me para, me reklama. Është për të ardhur keq që mediet nuk përfitojnë në kurriz të rolit të tyre por nga afërsia me qendrat e fuqive.  Në këtë mënyrë ato nuk mund ta realizojnë rolin e tyre kritik, edukativ dhe të iniciojnë debate” tha Selmani.

Ai foli dhe për dialogun që SHGM e udhëheq me Qeverinë dhe tha se s’ka ndonjë përparim konkret.
“Për herë të parë në Maqedoni është identifikuar adresa e saktë nga vijnë problemet e gazetarëve e ajo është Qeveria. Dhe Qeveria ka pranuar këtë. Nëse nuk mundemi ta detyrojmë Qeverinë ti zgjidhë këto probleme me dialog atëherë duhet të gjejmë një mënyrë tjetër demokratike” tha Selmani.

Në këtë konferencë, Nikolla Mlladenov, botues i gazetës “Fokus” foli për raste konkrete të censurës ndaj emisioneve të cilat nuk kanë qenë në pajtueshmëri me agjendën politike të Qeverisë.

“E keni parasysh emisionin e Vasko Eftov para zgjedhjeve  i cili nuk doli në publik për shkak se nuk “kishte rrymë”, apo emisionin me ish kryeministrin Robert Popovski që nuk u shfaq në publik për shkak se toni ka qenë i keq. Përpos censurës, gazetarët përballen dhe me auto-censurë për shkak të dënimeve të mëdha  që u bëhen gazetarëve” tha Mlladenov.

Alexander Balgey-Gallois, gazetar nga Reporters without borders tha se mediet në gjithë Ballkanin përballen me censurë ekonomike.

“Reklamimi i Qeverisë në gazeta është evident në Ballkan dhe në Maqedoni. Qeveria në këtë mënyrë i kontrollon ato dhe mund ti ndëshkojë nëse nuk ndjekin politikën e caktuar. Reporters without borders i bëri thirrje autoriteteve të Maqedonisë që të zhvillojnë një takim pas rënies së lirisë së medieve në vend” tha Balgey-Gallois.

Debati do të vazhdojë gjatë ditës, në temat: Shteti dhe mediumet, Liria e të shprehurit dhe shprehjet e urrejtjes, Mediumet sociale: territor i lirë. Debati mund të ndiqet direkt në këtë link.

Ne Twitter përdoret hashtagu #fpi12 /Portalb/ 

Lajme të ngjashme

Back to top button