Ku po shkon Maqedonia: çështja e emrit, çështjet delikate ngelen për tu negociuar

Pas takimit të ministrit të jashtëm të Greqisë, Niko Koxias me homologun e tij Nikolla Dimitrov dhe me ndërmjetësin Methju Nimic në Vjenë, njohësit e politikës së jashtme komentojnë optimizmin e biseduesve se zgjidhja e çështjes së emrit është afër, por megjithatë ka mjaft gjera që kanë ngelur për tu negociuar.

Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euro-atlantik thotë për Portalb.mk se tani pritet të negociohet për çështje mjaftë delikate për dy palët.

“Nga deklarimet e ministrave të jashtëm nga takimi i Vjenës, Koxias dhe Dimitrov, ka një dozë optimizmi i cili jep shpresë që mund të gjendet zgjidhje edhe pse do të vijnë pikat ose momentet e vështira për të ardhur deri të kompromisi i përbashkët. Sipas meje ajo që më jep më së shumti optimizëm është se ndërmjetësuesi Nimic për herë të parë në një mënyrë tregon optimizëm që shkon drejt zgjidhjes”, tha për Portalb, Ramadani.

Ai shtoi se duhet të besohet optimizmit të Nimic pasi që ai mund  të bazohet në konsultat që ai i ka me faktorë tjerë ndërkombëtarë që mund të ndikojnë në zgjidhjen përfundimtare.

“Duke u nisur nga fakti se në këtë rast të dy ministrat e jashtëm në pjesë të deklaratave të tyre kanë kujdes edhe për opinionin, qoftë në Maqedoni apo në Greqi, ndërsa Nimic e thotë realitetin në fakt që ekzistojnë shanse reale që problemi të zgjidhet. Duhet ti besojmë deklaratës së tij pasi që bëhet fjalë për një diplomat dhe ndërmjetësues me përvojë të madhe, por edhe si njohës I problemit në vazhdueshmëri që njëzet e sa vite. Optimizmi i tij sigurisht bazohet në konsultat që ai i ka me faktorë tjerë ndërkombëtarë që mund të ndikojnë në zgjidhjen përfundimtare. Këtu e kam fjalën për strukturat e NATO-s, BE-së dhe SHBA-së”,shtoi Ramadani.

Ish ambasadori i Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin thotë për Portalb.mk se duhet të ketë fleksibilitet dhe kushtëzim të caktuar.

“Kanë ngelur detaje të caktuara të cilat nuk mundet dhe nuk arrihet që të vendoset nga ministrat. Duke marrë parasysh që e gjithë ajo që bisedohet ndonjëherë është e paraqitur nga qëndrimet e qeverisë së dy shteteve dhe të njetat duhet të shqyrtohen nga ekspertët e të dy palëve negociuese dhe prandaj do  të duhet të ketë fleksibilitet dhe kushtëzim të caktuar siç është shembull ndryshimi I kushtetutës. Ne nuk mund të themi tani që ndryshimi kushtetues mund të bëhet, por mund të themi që në këtë moment do të firmosim marrëveshje, por ata kërkojnë që ndryshimet të futën në kushtetutë dhe që kjo të ndodh nevojitet dy të tretat e përbërjes parlamentare ta votojnë, dhe ne këtë nuk e kemi. Prandaj duhet të kërkohet ndonjë mënyrë tjetër”, tha për Portalb, Ruzhin.

Ai shtoi se diplomacia është e pasur,mirëpo ka edhe shumë parametra të rëndësishëm dhe pyetje të hapura që duhet të zgjidhen.

“Shumë parametra kanë rëndësi,diplomacia është e pasur dhe është mirë që ekziston energji pozitive që të zgjidhet çështja e emrit, por gjithashtu ka shumë matematikë dhe shumë gjëra që duhet të zgjidhe”, shtoi Ruzhin.

Ndërkaq kryeministri Zoran Zaev deklaroi se është më shumë optimist pas raundit të fundit të bisedimeve të ministrave të Punëve të Jashtme të Maqedonisë dhe Greqisë, Nikolla Dimitrov dhe Nikos Koxias në Vjenë me ndërmjetësuesin e çështjes së emrit, Metju Numic dhe tha se mund të gjendet zgjidhje për kontestin e emrit. Sipas kryeministrit Zaev, takimi i liderëve mund të mbahet pas festave të pashkëve.

Ndryshe, së fundmi pas 12 viteve, një ministër i Jashtëm i Greqisë ka zbritur me aeroplanin zyrtar në Aeroportin e Shkupit. Ai pati vizita me kreun më të lartë shtetëror, por edhe me liderët e partive politike.

Sipas asaj që deklaroi ai, Greqia “është për një kompromis të ndershëm”, ndërkaq homologu i tij, Dimitrov, deklaroi se Maqedonia nuk pranon emër të ngjitur i cili nuk do të përkthehej.

Kontesti 25 vjeçar

Ndryshe, Greqia dhe Maqedonia kanë çështje të hapur për emrin që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991. Në vitin 1995, Kombet e Bashkuara u bënë ndërmjetës në zgjidhjen e emrit duke dërguar person special si mediator. Deri më sot, ndërmjetësimi nuk ka sukses. Greqia pretendon se shteti i Maqedonisë është duke e përdorur emrin e regjionit verior grek i cili mban emrin Maqedoni, përcjellë Portalb.mk.

Megjithatë, pas ardhjes në pushtet të Zoran Zaevit, kjo çështje është riaktualizuar duke rifilluar bisedimet për kontest. Pas një takimi të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në Davos të Zvicrës, Zaev, njoftoi se Maqedonia ka vendosur që t’i ndryshojë emrat e autostradës dhe aeroportit të cilët e mbajnë emrin e figurës së kontestuar nga pala greke – Aleksandri i Maqedonisë. Me vendim të Qeverisë, autostrada u riemërua në “Miqësia”, ndërkaq aeroporti në “Aeroporti i Shkupit”.

Shpresat për integrim të Maqedonisë në NATO dhe BE, janë gjithnjë më të fuqishme, duke pasur parasysh se sinjalet e Komisionit Evropian janë se Maqedonia do ta rimerr rekomandimin për fillimin e bisedimeve hyrëse për anëtarësim në BE. Kjo u vërtetua edhe me publikimin e Strategjisë së KE-së për anëtarësimin e vendeve ballkanike në BE, por edhe nga kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, i cili në javën e fundit të shkurtit ishte për vizitë në Shkup. Edhe pse, Junker tha se nuk mund të japë datë për fillimin e bisedimeve, megjithatë, shtoi se Maqedonia është në rrugë të drejtë. Megjithatë, përveç menjanimit të kontestit për emrin me Greqinë, që të anëtarësohet në BE, Maqedonia duhet të punojë edhe në sundimin e ligjit, rritjen e ekonomisë dhe konkurrencës, zhvillimin e arsimit dhe sigurisë si dhe komunikimin digjital.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button