Gjyshi im dhe taksa e Rrugës së Kombit

1.

Rrugë nuk është vetëm hapësira që mundëson shkuarjen nga një vend në tjetrin. Prandaj edhe jo rastësisht ka dalë shprehja “të jesh në rrugë të drejtë”. Qeveritarët shqipfolës janë dëshmuar për aftësi të ndërtimit të rrugëve të asfaltuara por jo edhe për trasim të rrugës së drejtë.

2.

Autostrada në veriun e shtetit shqiptar që u planifikua të taksohet nuk është aq e gjatë dhe është me aq kthesa e lakesa sa të vë në dyshim nëse mund t’i thuhet “autostradë” me plot kuptimin e fjalës me të cilën përshkruhet në botë një udhë e tillë. Për më tepër, ky rrip toke pothuajse është i paalternativë: opsioni bjeshkëve të Pukës është torturë, pasiguri dhe prapakthim në kohëra arkaike.

Madje, kjo rrugë as nuk është ndërtuar me paratë e ndonjë kompanie e cila tani do të mund të vilte të ardhura për shkak të koncesionit (ta zëmë sikur rasti i aeroportit të Prishtinës). Tatimet e shtetasve shqiptarë e kanë paguar koston. Po ata qytetarë që mezi i çojnë tridhjetë ditë të muajit me standard jetësor. Sidoqoftë, arsye ekonomike për mosvënien e taksës rrugore gjenden sa të duash. E njeriu nuk është vetëm homo economicus.

3.

17 shkurt 2008. Kuvendi i Kosovës shpalli pavarësinë. Gjyshi im, i lodhur nga një sëmundje e gjatë në shtrat, i përlotur nga gëzimi, më pati thënë: “shyqyr që e pashë këtë ditë e tash e kam vetëm edhe një dëshirë edhe le të vijë vdekja se jam lodhë ma”. “Çfarë dëshire t’ka mbetë, o babë”, e pata pyetur duke vrarë mendjen. “Veç me e pa edhe atë rrugë që ka me na bashku me Shqipninë”, ishte përgjigjja që i doli buzëve të dridhura prej ngazëllimit të çastit. “Edhe ti shumë po kërkon”, e pata ngacmuar me shaka.

Ashtu edhe ngjau; gjyshi ndërroi jetë vetëm dy muaj më pas. Sigurisht me mallin e pashuar: ta shihte Kosovën e Shqipërinë bashkë përmes asaj udhe.

4.

Emri: “Rruga e Kombit”. Pra, rruga në të cilën hedhen hapat e bashkimit kombëtar. Kjo nuk domethënë të përkthehet doemos si unifikim administrativ nën një çati shtetërore por ama lehtësohen tej mase vajtje-ardhjet mes qytetarëve të dy anëve të kufirit dhe kjo i përafron pjesët e hapërdara të kombit. Kjo rrugë është përpjekja e parë konkrete për njësim që sfidon edhe konfiguracionin e relievit.

Taksat duhet të vendosen në një shtet në mënyrë që ai të mbijetojë në këmbët e veta. Edhe akset rrugore mund të jenë objekt taksimi. Mirëpo jo edhe ajo që quhet Rrugë e Kombit. Kombi nuk blihet as nuk shitet; nuk taksohet e nuk dhurohet. Kombi duhet të jetë i lirë. Dihet se ai nuk bashkohet me një rrugë por me vullnet dhe punë vetëm se kjo autostradë ka qenë pikërisht prodhim i kësaj ideje madhore.

Gjeneratat post 2000 mbamendjen e vetme lidhur me qytetet e Shqipërisë e kanë me këtë rrugë. Pra, kjo është vija që të shpie në ato qytete të vendit fqinj ku gjithandej flitet shqip; të vendit që ne kemi denjuar ta quajmë “amë”. Është pluhuri ynë i përbashkët mbi tokën që tejkalon kuptimin e një shteti.

5.

Paraja është e rëndësishme por nuk është gjithçka. Buxheti nuk rritet vetëm me alokim po edhe me ulje shpenzimesh.

Ka gjëra që maten me vlerën dhe jo me çmimin. Përtej romantizmit, ndonjëherë simbolikat vlejnë aq sa s’mund të ketë monedhë t’i kompensojë. Të mos bëhet shkas një shumë e të hyrave që të rrënohet mirëbesimi e të ngritet paragjykimi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button