Moderatori i radios së Armatës së Izraelit: Turpërohem që jam izraelit

 Moderatori i njohur i radios së Armatës së Izraelit, Kobi Meidan, deklaroi se “ndjehet i turpëruar që është izraelit”, një kundërpërgjigje e tij, ndaj vrasjes së 18 palestinezëve, kryer nga forcat izraelite në kufirin me Gazën, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Sot ndjehem i turpëruar që jam izraelit”, ka shkruar Meidan në llogarinë e tij në Facebook, i cituar nga e përditshmja izraelite “Haaretz”.

Të paktën 18 palestinezë u vranë, kur forcat izraelite hapën zjarr mbi protestuesit palestinezë të cilët u tubuan të premten në afërsi të kufirit në Gaza, për të kërkuar kthimin e refugjatëve nëpër shtëpitë e tyre.

Ministria palestineze e Shëndetësisë, bën të ditur se në tubimet e fundit janë plagosur rreth 1.500 palestinezë.

I irrituar nga postimi i Meidanit, komandanti i Radios, Shimon Elkabetz, urdhëroi shkarkimin e moderatorit, si dhe pezullimin e programit të tij.

Demonstruesit kërkojnë të drejtën për kthimin e refugjatëve palestinezë në qytetet dhe fshatrat të cilat familjet e tyre ishin të detyruar t’i braktisin, në kohën kur u formua shteti i Izraelit, në vitin 1948.

Kundërpërgjigjja e dhunshme izraelite ndaj protestës palestineze, ka ngjallur zemërim të thellë anembanë botës, ndërkohë që Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, bëri thirrje për një hetim transparent dhe të pavarur.

Rikujtojmë se forcat izraelite hapën zjarr të premten kundër demonstruesve të cilët ishin mbledhur me rastin e “Ditës së Tokës”, që është një simbol i rezistencës ndaj pushtimit izraelit.

Me tubimet e së premtes kanë filluar protestat gjashtëjavore të cilat do të kulmojnë më 15 maj kur palestinezët shënojnë “Nakba” (katastrofën), ditën kur u themelua Izraeli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button