fbpx

Shënohet dita e miratimit të Buxhetit të parë të Maqedonisë

Në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë u mbajt Konferenca e parë e Ministrisë së Financave me rastin e 2 prillit, ditës kur në vitin 1992 u miratua Buxheti i parë i Republikës së pavarur të Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministri i Financave i Maqedonisë, Dragan Tevdovski, në hapjen e konferencës ku të pranishëm ishin edhe kryeparlamentari Talat Xhaferi dhe kryeministri Zoran Zaev, tha se kjo ditë, të cilën e cilësoi “me rëndësi historike në ndërtimin e shtetit”, deri më sot nuk është shënuar.

“Buxheti është një ndër themelet e shoqërisë maqedonase. Buxheti paraqet rrjedhën e funksionimit të shtetit. Nga ai varen pagat e mësuesve të cilët në shkolla i mësojnë fëmijët tanë, mjetet që shfrytëzohen në shëndetin publik, mbështetja për papunësi që u jepet të papunësuarve, ndihma sociale, mbështetja e bizneseve në hapjen e vendeve të punës dhe të investojnë, si dhe shumë punë të tjera që kanë ndikim të drejtpërdrejt ndaj cilësisë së jetës së qytetarëve të Maqedonisë”, deklaroi ministri Tevdovski.

– Xhaferi: Treguam se si shtet jemi të aftë ta planifikojmë, ta miratojmë dhe ta realizojmë buxhetin

Ndërkaq, kryeparlamentari Talat Xhaferi në fjalimin e tij tha se roli i Kuvendit gjatë miratimit të buxhetit dhe roli mbikëqyrës mbi harxhimin e buxhetit, në botën bashkëkohore demokratike janë dy parime në bazë të të cilave vlerësohet edhe kapaciteti demokratik i strukturës së caktuar sunduese dhe në përgjithësi shkalla e demokracisë në një shtet.

“Para 26 viteve, kur u miratua buxheti i parë i Republikës së Maqedonisë, treguam para publikut vendor, para se gjithash para subjekteve ekonomike, por edhe opinionit ndërkombëtar dhe organizatave financiare ndërkombëtare, se si shtet jemi të aftë ta planifikojmë, ta miratojmë dhe ta realizojmë buxhetin pa të cilin nuk mund të paramendohet asnjë funksion i shtetit”, deklaroi Xhaferi.

Xhaferi, duke folur për rolin e Kuvendit përmendi edhe ngjarjet e 24 dhjetorit të vitit 2012, të njohura si “e hëna e zezë”, ku opozita për shkak të kundërshtimit të miratimit të buxhetit u largua me dhunë nga salla e Kuvendit të Maqedonisë, përfshirë edhe ato të 27 prillit të vitit 2017, ku protestuesit me dhunë u futën në Kuvend, si pasojë e së cilës mbetën të lënduar dhjetëra deputetë, pjesëtarë të policisë dhe përfaqësues të mediave.

Duke theksuar se nuk do të lejojë të përsëriten ngjarje të tilla, ai tha se “të gjithë nxorëm një mësim nga këto ngjarje dhe mësuam leksionin historik se me dhunë nuk ndërtohet as demokraci, por as institucione funksionale”.

– “Qeveria aktuale realizoi aktivitete paketë të cilat janë drejtuar drejt transparencës”

Nga ana tjetër, kryeministri Zoran Zaev theksoi se kur formuan qeverinë aktuale të Maqedonisë u angazhuan që ta bazojnë punën e tyre në institucione të hapura, transparente, të besueshme dhe efikase të cilat komunikojnë dhe bashkëpunojnë me qytetarët.

“Seri hulumtimesh të zbatuara nga ana e organizatave vendore dhe ndërkombëtare kanë vënë re se koncepti i qeverisë së hapur në Maqedoni ishte i pamatur, ndërsa transparenca e institucioneve në mënyrë të konsiderueshme e lënë pas dore. Prandaj, në kuadër të programit të saj të punës dhe bazuar në dokumente të lartë të reformave, siç është ‘Plani 3-6-9’, qeveria aktuale realizoi aktivitete paketë të cilat janë drejtuar drejt transparencës, llogarisë dhe përgjegjësisë”, deklaroi kryeministri Zaev.

Konferenca e titulluar “Menaxhimi i financave publike i zhvillimi ekonomik – të kompletuar apo kontradiktore”, ishte e ndarë në disa panele të diskutimeve, ku pjesë ishin ish-ministra të financave të Maqedonisë, si dhe ekspertë të kësaj fushe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button