NATA DHE MALËSIA
1.
Në netët e qeta
Hëna bëhet nuse
E veshur në të verdha!
Natë. Qielli është i kaltër.
Ylli bie në fund të liqenit.
Në pendën e peshkut
Dritë…
Në shpinën e shkumëzuar të vales së trazuar
Dhe në bardhësinë e syprinës
Përvijohen figura mermeri!
Natë. Në hapësirën e qiellit
Vdes nga ndonjë yll
Midis kufijve të verdhë
Të lartësive
2.
Netët më sollën pranë lumit
Dhe më shndërruan në guacë
Me dy gjysma floriri!
Netët pastaj më bënë shigjetë
E cila i përgjon të përhumburit dhe largësitë
3.
Në Malësi
Në disa lule pemësh
Pikojnë e bien bardh si drita
Vesa
Freskia
Ngjyra
Dhe yjet!
Këtu nën barrën e shelgjeve
Zgjidhen enigmat e erës
Këtu,
Çdo ditë qielli çel bardh
Mbi majën e çdo ahu!
Këtu,
Kënga e uji kanë melodi të njëjtë
këtu
lulet e bletët
i lan shiu i argjendtë.
Këtu
Nën kësulën e kësaj hapësire
Rrjedhin lumenjtë e blerimit
Këtu
Rrjedh drita e shikimeve
4.
Malësia
Këtu edhe gjuha e gjetheve
Fle në notat e Moxartit
Malësia
Këtu edhe bardhësia e grigjës
Shkëlqen
Këtu fijet e barit i kemi kasolla
E arka ëndrrash
Këtu në çdo përrua valojnë shami kujtimesh.
5.
– Hej! Malësia po zgjohet
Dhe lindet një dritë e re.
Në pullaz ndalet e pushon
Fluturimi i ri
Me shikim kah pafundësia e blerimit
Në lumë freskohet
Zogu i largësive
Shiko
Në të gjitha anët
Është bardh. Mali është i bardhë,
I bardhë.
Edhe në dorë kam lule të bardha,
Lule dhuratë gjaku
Nga ky vend këtu.
6.
Në netët e qeta
Hëna bëhet nuse
E veshur në të verdha!
Kurse Malësia
bëhet vesh që kujdeset
Mos të qajë ndonjë fëmijë.
Poezi nga Asllan SELMANI
Zgjodhi Xhabir AHMETI