Nuk ka takim liderësh, Dimitrov veçmas do të njoftojë krerët shtetëror për zhvillimet me emrin

Pas takimit të treshëses Nimic – Dimitrov – Koxias, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov do të realizojë takime të ndara me krerët shtetëror për zhvillimet në lidhje me çështjen e emrit, njofton Portalb.mk.

Paraprakisht, Dimitrov ka njoftuar se takime do të mbajë me liderët e partive më të mëdha në Maqedoni, mes të cilave është edhe VMRO-DPMNE-ja.

Sa i takon çështjes së emrit Maqedoni – Greqi, në Maqedoni deri tash është mbajtur vetëm një takim liderësh politik në të cilin ishte i pranishëm edhe kryetari i Maqedonisë, Gjorge Ivanov , mirëpo siç njoftojnë nga Qeveria e Maqedonisë një e tillë nuk do të ndodh pas takimit të Vjenës.

Takimi i Dimitrovit me krerët shtetëror vjen pas vizitës së tij në Vjenë të Austrisë, ku u takua me ndërmjetësin e OKB-së për çështjen e emrit, Metju Nimic dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Koxias -takim ky që përfundoi pa epilog konkret.

Pas takimit, ndërmjetësi Metju Nimic u shpreh se mbeten edhe shumë çështje të rëndësishme për t’u zgjidhur.

“Ishte një nga takimet më serioze për zgjidhjen e emrit, ishte takim produktiv që na bën optimist për të ardhmen. Në të njëjtën kohë që po zhvillohej takimi ynë, diplomatët dhe ekspertët e dy vendeve po punojnë në disa prej aspekteve më kontraverse të marrëveshjes. Mund të them se janë adresuar çështje të vështira, por se mbeten akoma çështje të rëndësishme për t’u zgjidhur”, tha Nimic.

Ndërkaq ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov deklaroi se duke ecur përpara, aq më shumë vështirësitë dalin në pah.

“Punuam sipas logjikës së çfarë është më e rëndësishme për njërën dhe për palën tjetër dhe a mund që përmes kompromisit drejt të cilit shkojmë, t’i mbulojmë të dyja. Megjithatë na çudit ajo që sa më hapur dhe konkretisht ecim drejt zgjidhjes, aq më shumë edhe vështirësitë dalin në sipërfaqe”, tha Dimitrov pas takimit.

Kurse homologu i Dimitrovit nga Greqia, Nikos Koxias ka shprehur se janë marrë parasysh pikat në të cilat pajtohen palët duke shpresuar se në takimin e ardhshëm do të bëhet hap më i madh.

“Kemi regjistruar pikat për të cilat pajtohemi dhe pikat për të cilat nuk pajtohemi. Shpresoj se në takimin tonë të radhës do të jemi gati të bëjmë një hap të madh”, tha Koxias.

Pas takimit, gazeta Katimerini ka shkruajtur se pengesat kryesore të çështjes së emrit janë kushtetuta dhe korniza juridike. Kurse disa media tjetër njoftuan se Greqia ka hequr dorë nga emri i papërkthyeshëm i Maqedonisë.

Paraprakisht u tha se në takimin Nimic – Dimitrov – Koxias për çështjen e emrit që u mbajt në Vjenë, do të propozohet formë juridike me vende të zbrazëta, mirëpo kjo nuk u komentua nga pjesëmarrësit e takimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button