Diplomatët e dëbuar rusë mbërrijnë në Moskë

Dy avionë të nisur nga Uashingtoni dhe Nju Jorku, mbërritën sot në aeroportin e Moskës me 170 pasagjerë, ndër ta 60 diplomatët e dëbuar rusë dhe familjarët e tyre. Ndërsa tensionet janë tashmë të larta, Moska qarkulloi gjithashtu një paralajmërim për shtetasit e saj që udhëtojnë drejt Britanisë, për mundësinë e veçimit dhe keqtrajtimit nga autoritetet britanike.

Diplomatët rusë që u dëbuan nga Shtetet e Bashkuara mbërritën sot në Rusi. Dy avionë u ulën sot në aeroportin Vnukovo të Moskës. Në bord ishin 171 persona, 60 diplomatët e dëbuar dhe familjet e tyre.

Në total, mbi 150 diplomatë rusë janë urdhëruar tashmë të largohen nga Shtetet e Bashkuara, vende të BE-së, NATO-s dhe të tjera.

Shtetet e Bashkuara thanë se 60 diplomatët e dëbuar ishin spiunë dhe se ata u përzgjodhën nga disa poste diplomatike ruse në mbarë SHBA-në, si dhe nga misioni i Rusisë në OKB. Ndër masat e marra ishte edhe mbyllja e konsullatës ruse në qytetin Seattle.

Megjithatë, Uashingtoni ka thënë se Rusia mund të aplikojë për të dërguar diplomatë të tjerë që do të zëvendësojnë të larguarit, transmeton VOA.

Tensionet kanë arritur kulmin e periudhës së pas Luftës së Ftohtë pas sulmit të kryer në Britani me agjentin nervor “Novichok” të shpikur dhe të prodhuar gjatë epokës sovjetike. Rusia vazhdon të mohojë se pati ndonjë rol në sulmin ndaj ish-agjentit të saj Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia, më 4 mars në qytetin anglez Salisbury. Duke shtuar tensionet, Rusia lëshoi dje një paralajmërim për shtetasit e saj që udhëtojnë drejt Britanisë, se mund të veçohen dhe keqtrajtohen nga autoritetet vendase.

Megjithë tensionet e larta, Presidenti amerikan Donald Trump shpesh ka ngurruar të kritikojë udhëheqësin rus Vladimir Putin dhe madje ka folur për mundësinë e një takimi mes tyre në të ardhmen e afërt.

Që mbrëmë, flamuri amerikan nuk u pa më të valëvitej në godinën e konsullatës amerikan në Shën Pjetërburg, mbyllja e së cilës u urdhërua nga Moska. Ambasada amerikane në Moskë shkruajti në Twitter se “tashmë konsullata është mbyllur, por puna jonë për të përmirësuar marrëdhëniet SHBA-Rusi po vazhdon”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button