Kërkohet ndryshimi i rregullave të Facebook

Iniciativa Europa-vs-Facebook, e drejtuar nga një student austriak i drejtësisë, ditën e enjte deklaroi se kanë grumbulluar 7,000 nënshkrimet e nevojshme që obligojnë rrjetin social Facebook të rishikojë rregullat e privatësisë.

Lajmi erdhi teksa rrjeti Facebook, bëri publik njoftimin se IPO e vet kishte arritur çmimin prej 38 dollarëve për aksion, që do t’i jepte kësaj ndërmarrje vlerën marramendëse në treg prej 104 miliardë dollarësh (83 miliardë euro).

Facebook më 11 maj publikoi ndryshimet në rregullat e veta të privatësisë, pasi që studenti austriak i drejtësisë, Max Schrems, dhe të tjerë ishin ankuar tek përfaqësia e Facebook në Irlandë.

Schrems kritikoi ndryshimet, duke thënë që ato paraqesin “një hap para dhe dy hapa prapa” – ku përdoruesit humbin të drejtën ligjore për të dhënat dhe profilet e tyre online.

Grupi i avokatëve ka propozuar ndryshime në www.our-policy.org dhe i ka ftuar përdoruesit që të nënshkruhen – duke mëtuar arritjen e më tepër se 7,000 nënshkrimeve, që është edhe kusht që rrjeti social Facebook brenda shtatë ditëve të fut në votim ndryshimet e propozuara.

“Ne e arritëm të marrim më tepër se 7,000 nënshkrime për our-policy.org,” tha grupi në faqen e vet www.europe-v-facebook.org, duke thënë që më tepër ishin vendosur nënshkrime dhe komente në gjuhë tjera se sa në gjuhën angleze.
Ai tha që numri i komenteve “sipas politikës së Facebook nënkupton

se ata nuk janë në gjendje t’i bëjnë ndryshimet e propozuara. Ne tani po presim reagimin e parë të Facebook!” /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button