fbpx

Vazhdojnë evakuimet e detyruara në Gutën Lindore

Ka mbërritur në pjesën periferike të Idlibit dhe Hama-s autokolona e 12-të e evakuimit të detyruar nga rajoni i Gutës Lindore të Sirisë, e cila është nën rrethimin e regjimit të Bashar al Asadit dhe mbështetësve të tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Kanë vazhduar evakuimet nga vendbanimet Arbin, Zemelka dhe Ajn Terma, të Gutës Lindore, në kuadër të marrëveshjes së arritur si rezultat i bisedimeve të kryera nën garantimin e Rusisë, ndërsa është kryer evakuimi i mbi 45 mijë personave.

Me autokolonën e 12-të të përbërë nga 73 autobusë janë transportuar 2,875 persona nga të cilët 1.072 janë fëmijë dhe 644 gra. Pasi ka kaluar në rajonin Hama në pjesën qendrore të vendit, autokolona ka mbërritur në Idlib dhe në pjesën periferike perëndimore të Halepit, që ndodhen nën kontrollin e opozitarëve dhe grupeve të armatosura kundër regjimit.

Civilët janë vendosur nëpër xhamia dhe shkolla për shkak se janë të mbushura qendrat e përkohshme të strehimit.

Në autokolonën e nisur ditën e djeshme nga Guta Lindore bëhet e ditur se ndodhen personat që janë plagosur më parë dhe të cilët kanë rrezik për jetën.

Ndërkohë që vazhdojnë evakuimet, regjimi i Asadit dhe mbështetësit e tij vazhdojnë të mbajnë nën rrethim Gutën Lindore ku kanë masakruar mijëra persona.

– Procesi që çoi në evakuim

Asadi dhe mbështetësit e tij pasi morën mbështetjen ajrore të Rusisë më 19 shkurt nisën një operacion për të marrë nën kontroll Gutën Lindore e cila gjendet nën kontrollin e opozitarëve. Që nga kjo datë regjimi dhe avionët luftarakë të Rusisë intensifikuan sulmet ajrore dhe tokësore në rajonin ku jetojnë rreth 400 mijë civilë.

Si pasojë e sulmeve kanë humbur jetën një numër i madh civilësh. Gjithashtu si pasojë e shtëpive të shembura dhe sulmeve civilët u strehuan nëpër bunkerë dhe bodrumet nëntokësore.

Më 24 shkurt, Këshilli i Sigurimit të OKB-së miratoi rezolutën e cila kërkon armëpushim në Siri, veçanërisht në Gutën Lindore, për civilët. Megjithatë, në Gutën Lindore e cila i nënshtrohej sulmeve intensive të regjimit dhe të përkrahësve të tij, vazhdonin humbjet e jetëve të civilëve duke mos dhënë rezultat as iniciativat e komunitetit ndërkombëtar.

Pas vendimit të KS-OKB-së, edhe Rusia më 27 shkurt bëri të ditur se çdo ditë mes orës 09:00 dhe 14:00 do të jepet armëpushim humanitar në Gutën Lindore duke pretenduar se regjimi do ta respektojë atë.

Pavarësisht rezolutës së armëpushimit, në fillim të muajit të kaluar regjimi sirian dhe aleatët e tij filluan një ofensivë të madhe tokësore, që synonte pushtimin e pjesëve të provincës të zotëruara nga opozita.

Regjimi dhe përkrahësit e tij, duke avancuar nga lindja për në perëndim të Gutës Lindore mes datave 11-12 mars, rrethuan qarkun Haresta dhe ndanë në 3 pjesë rajonin e Gutës Lindore.

Në Gutën Lindore e cila ndodhet nën kontrollin e opozitarëve jetojnë rreth 400 mijë persona të cilët prej 5 vitesh janë nën rrethimin e regjimit të Asadit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button