Rusia vazhdon dëbimin e diplomatëve perëndimorë

Rusia urdhëroi dëbimin e më shumë diplomatëve nga vendet perëndimore, në përgjigje të dëbimit të diplomatëve të saj, për shkak të helmimit të një ish-spiuni rus në Mbretërinë e Bashkuar.

Masat hakmarrëse vijnë një ditë pasi Rusia ka dëbuar 60 diplomatë amerikanë dhe ka mbyllur Konsullatën amerikane në Shën Petersburg, transmeton REL.

Londra ka fajësuar Rusinë për sulmin me agjent nervor kundër Sergei Skripalit dhe vajzës së tij, Yulia, më 4 mars në Sallsbëri.

Rusia i ka mohuar akuzat.

Të premten, Moska e udhëzoi ambasadorin britanik që të kërkojë nga Mbretëria e Bashkuar të reduktojë stafin e saj diplomatik në Rusi aq sa është prania ruse në Britani.

Të dyja vendet tashmë kanë dëbuar nga 23 diplomatë. Moska ka urdhëruar edhe mbylljen e Këshillit Britanik.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, tha të enjten se bota rrezikon “të vijë në një situatë të ngjashme me kohën e Luftës së Ftohtë”.

Njëzetenëntë vende kanë dëbuar 145 zyrtarë rusë në solidaritet me Mbretërinë e Bashkuar. NATO-ja po ashtu ka urdhëruar largimin e 10 rusëve nga misioni i saj në Belgjikë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button