Retorika e ashpër e ambasadorit rus, Zaev: nuk dëshirojmë ta sulmojmë dikë (VIDEO)

“Ne nuk kërkojmë të hyjmë në NATO që ta sulmojmë dikë, ne kërkojmë që bashkërisht me shtetet e anëtarësuara të kujdesemi për qetësinë” me këto fjalë kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev i komentoi deklaratat e djeshme të ambasadorit të Rusisë në Maqedoni, Olleg Shçerbak, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Zaev sqaroi se Maqedonia synon anëtarësimin në NATO për shkak të sundimit të së drejtës dhe respektimin e parimeve që kanë të bëjnë më të drejtat dhe sigurinë e njerëzve.

“Ne kërkojmë për shkak të vlerave të NATO-s, sundimit të së drejtës, absolutisht vlera që nënkuptojnë respektim të të drejtave të njeriut, siç janë: liria e shprehjes. Këto janë vlerat edhe të NATO-s dhe BE-së dhe këto janë arsyet se pse 70 për qind e qytetarëve janë të orientuar drejt tyre”, tha Zaev.

Ai gjithashtu tha se do të përpiqet që të ketë bashkëpunim me Federatën e Rusisë që të dyja shtetet të kemi përparim: “Ne jemi ortodoks dhe rusët janë të tillë”, tha Zaev duke aluduar në vlerat e përbashkëta që kanë të dyja shtetet.

Kryeministri i Maqedonisë edhe njëherë bëri të ditur se dëbimi i diplomatit rus ka qenë i bazuar në ligjet dhe Konventën e Vjenës dhe kërkoi që edhe ndaj Maqedonisë të veprohet njëjtë nëse diplomatët maqedonas nuk i respektojnë ligjet e brendshme të një shteti.

“Të njëjtën do ta dëshiroja ta bëjnë edhe ndaj nesh, nëse nuk i respektojmë ligjet e brendshme dhe rregullat ndërkombëtare”, tha Zaev.

Përndryshe, dje ambasadori i Rusisë në Maqedoni, Olleg Shçerbak duke komentuar dëbimin e diplomatit rus nga Maqedonia, të njëjtin e ka vlerësuar si akt të shpejtuar dhe armiqësor dhe i ndikuar nga Britania e Madhe. Ai gjithashtu tha se edhe pse kanë kërkuar, Ambasada e Rusisë nuk ka marrë asnjë dëshmi për deklaratën e ministrit të Jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov se diplomati rus ka tentuar të marrë dokumente të klasifikuara edhe pas përfundimit të mandatit.

“Janë lajme të rreme dhe propaganduese se ne kemi bërë kërcënim ndaj Maqedonisë”, tha Shçerbak duke përsëritur se Maqedonia nuk duhet të jetë anëtare e NATO-s sepse sipas tij ajo do të bëhet pjesë e makinerisë luftarake.

“Ju jeni qytetarë të përgjegjshëm të shtetit tuaj dhe duhet të mendoni për atë se pas anëtarësimit në NATO shteti do të bëhet pjesë makinerisë luftarake dhe nëse ndodh agresion kundër Rusisë ju do të jeni në cak të sulmit kthyes. A ju duhet ajo juve dhe fëmijëve tuaj?”, tha Shçerbak.

Deklaratat e Shçerbakit dhe Zaevit vijnë pasi që më 26 mars, Ministria e Punëve të Jashtme dëboi një diplomat të Federatës Ruse, për shkak të rastit Skripal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button