Baballarë në sallën e lindjes, sa prej tyre pranojnë?

Burra të fortë, por vështirë se do shkelnin në sallën e lindjes ku bashkëshortja po sjell në jetë fëmijën. Klisheja e meshkujve të cilëve u bie të fikët teksa gratë luftojnë me dhimbjet, tek shqiptarët është ende e fortë. Vetëm 1% e tyre zgjedhin të kapërcejnë pragun e derës e të shtrëngojnë dorën e partneres. 

Mjekët: Baballarët të papërgatitur
Çështje mentaliteti, frikash, apo të papërgatitur për të përballuar një situatë të tillë? Baballarët shqiptarë duket se nuk i hyjnë aq thellë analizës. Thjesht pjesa më e madhe e tyre preferojnë të rrinë jashtë sallës së lindjes. Ndërkohë që në vende më të zhvilluara se tonat quhet normale prania, madje ekzistojnë edhe kurse parapërgatitore për të dy prindërit, ne jemi ende larg.

“Krahasuar me vite më parë, kemi më shumë çifte, por gjithsesi mbeten të rrallë. Madje, edhe vetë nënat nuk preferojnë t’i kenë në sallë bashkëshortët, pasi janë më të lirshme dhe duan t’ua kursejnë pjesën e dhimbjeve”, thonë nga klinikat e maternitetit.

Çiftet janë ende të papërgatitura për ta quajtur si pjesë normale rolin e barabartë të dy prindërve. Pikërisht për këtë arsye nuk mungojnë rastet kur një burrë edhe pse vetëm po sheh atë që ndodh në sallë, mund të zverdhet e të ketë rrezik t’i bjerë të fikët.

“Është më se normale. Nëna ka pasur kohe 9 muaj të përgatitet shpirtërisht për momentin e lindjes, e ka edhe natyrale, ndërsa për baballarët është më e vështirë”, thonë mjekët. Aat e shohin si një mbështetje mjaft të madhe psikologjike për nënën praninë e bashkëshortit në sallë.

Si mund të ndihmojnë baballarët
Sipas mjekëve, para se të përfundojnë në sallën e lindjes, baballarët duhet të dinë të ndihmojnë bashkëshorten e tyre për të përballuar dhimbjet. Për këtë ata duhet të trajnohen më parë nga stafi i mjekëve. Babai duhet të dijë se fillimisht gruaja i ka dhimbjet më të lehta, që vijnë çdo 15 minuta dhe zgjasin më shumë, dhe më pas vijnë duke u afruar deri në 5 minuta e kështu me radhë.

Në këtë situatë, babai fillon dhe ndërhyjë me ndihmën e tij dhe mundohet ta mbajë sa më koherente nënën për frymëmarrjet që duhet të bëjë, duke e mësuar se si duhet të bëjë frymëmarrjen. Më tej, doktoresha shpjegon se nëna, duke qenë nën presionin e dhimbjeve, e harron momentin dhe kërkon të bërtasë dhe të shprehë dhimbjen në format e saj./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button