Mosdekretimi i ligjit për gjuhët, si munden deputetët dhe Gjykata Kushtetuese ta shkarkojnë Ivanovin?

Vendimi i presidentit Gjorge Ivanov që të mos e dekretojë ligjin për përdorimin e gjuhëve, hapë mundësinë që të ngritet interpelancë apo impiçment në Kuvendin e Maqedonisë pasi që ai ka bërë shkelje të nenit 75 të Kushtetutës e cila thotë se presidenti i Republikës e ka për detyrë ta nënshkruajë dekretin nëse për të dytën herë votohet nga Kuvendi, njofton Portalb.mk.

Sipas numrave të shumicës parlamentare, konstatimi i përgjegjësisë, gjegjësisht finalizimi i kësaj procedurës në Kuvend, është e pamundur pa votat e opozitares VMRO-DPMNE, apo pa votat e partisë që vjen edhe vetë presidenti Ivanov.

Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Ejup Alimi, thotë se deri më tani nuk është diskutuar një gjë e këtillë, por nuk përjashtohet mundësia që prej të hënës për të njëjtën të bisedohet, ndërkaq edhe ai rikujton se shumica parlamentare nuk i ka numrat që e njëjta të finalizohet.

Edhe deputeti i LSDM-së, Muhamed Zeqiri thotë se ende nuk është biseduar për këtë çështje, ndërkaq nënvizon se nëse VMRO-DPMNE e përkrah interpelancën, ata do ta kishin votuar.

Deputeti Nexhbedin Kahremani nga Lëvizja BESA, thotë se partia do të dalë me qëndrim për të njëjtën, ndërkaq deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Surija Rashidi nuk ishte i kapshëm për redaksinë tonë.

Portalb.mk, ka tentuar disa herë që të kontaktojë deputetët e VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev dhe Ilija Dimovski dhe zëdhënësin e partisë, Ivo Kotevski, për t’u deklaruar nëse ata do ta përkrahnin një iniciativë të tillë, megjithatë të njëjtët nuk iu përgjigjën pyetjes sonë.

Sipas, nenit 87 të Kushtetutës së Maqedonisë, presidenti i Republikës mban përgjegjësi për shkeljen e Kushtetutës dhe të ligjeve gjatë ushtrimit të të drejtave dhe detyrave të tij.
Procedurë për verifikimin e përgjegjësisë së Presidentit të Republikës, ngre Kuvendi me shumicën e dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve.

Sipas rregullores së Kuvendit, ngritjen e procedurës për verifikimin e përgjegjësisë së presidentit mund ta bëjnë 30 deputetë.

Pas kësaj, sipas Kushtetutës, për përgjegjësinë e Presidentit vendos Gjykata Kushtetuese me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i gjyqtarëve.

Nëse Gjykata Kushtetuese e verifikon përgjegjësinë e Presidentit të Republikës, funksioni i pushon me fuqinë e Kushtetutës.

Ndryshe, nëse shumica parlamentare vendos që të ngrit interpelancë, atëherë kjo do të ishte e dyta, pas asaj të parës që opozitarja e atëhershme, LSDM ngriti procedurë për verifikimin e përgjegjësisë për vendimin skandaloz të Ivanovit ku i aboloi apo i fali të gjithë funksionarët e dyshuar nga VMRO-DPMNE për kryerjen e veprave të rënda penale.

Ligji i gjuhëve është në ngërç, pasi që presidenti nuk e nënshkruan dekretin dhe me këtë nuk lejon që të shpallet në Gazetën Zyrtare, gjegjësisht të hyjë në fuqi.

Kryeministri Zoran Zaev, përpara disa ditëve për pyetjen e Portalb.mk, u deklarua se nuk e përjashton mundësinë që të dërgojnë edhe kërkesë deri te Gjykata Kushtetuese e cila do të deklarohej nëse presidenti e ka shkelur Kushtetutën me mosdekretimin e ligjit.

Pasi Ivanov s’e dekreton, si do të hyjë në fuqi ligji për gjuhët?

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button