Modeli konician i komunikimit kulturor brendashqiptar

Ka vite që flitet për mungesën e komunikimit të mirëfilltë kulturor brendashqiptar. Kjo çështje është bërë temë e shpeshtë tryezash e konferencash shkencore, por realiteti mbetet paradoksal, sepse, ashtu si rritet nevoja për ngritjen e urave të komunikimit me të tjerët, po zbret interesimi për njohjen e vetvetes.

Në dallim prej nesh, që jetojmë në epokën dixhitale, në mileniumin pa muret dhe fantazmat e së shkuarës, rilindasit tanë, të degdisur si mos më keq kolinive evro-aziatike, gjetën mekanizmat e komunikimit brendashqiptar dhe ia dolën mbanë projektit të formimit dhe ruajtjes së njësisë së kombit. Pati dhe të tillë që betejës në fjalë iu futën të vetmuar, si puna e titanit Faik Konica, i cili ngriti urat e komunikimit me revistën ALBANIA, të shndërruar, që me numrat e saj të parë, në tribunë të nismave kulturore, arsimore e kombëtare.

Është e habitshme se si ky kolos arriti të mbajnë gjallë me vite një institucion të vërtetë kulturor e kombëtar, pa përkrahje kontinuele, pa resurset e nevojshme dhe pa mbështetje në ekipe profesionistësh të domosdoshëm për fushën e medias së shkruar.

Parë nga koha e sotme, misioni i Konicës duket i pamundshëm, sepse u zhvillua në kohën kur qenies sonë, të gjendur nën trysninë e thundrave të huaja dhe në mëshirën e kulturave hegjemoniste të të mëdhenjëve, i kanosej rreziku i zhbërjes.

Dëshmitë e përpjekjeve të Konicës për të mbajtur gjallë linjat e komunikimit ndëretnik janë të shumta, po këtu po sjellim vetëm një letër dërguar baronit austriak Goluchovskit, që është në fakt program i detajuar kombëtar, që ndoshta shkon dhe përtej programit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe, për habi, edhe përtej “investimeve” të dy shteteve të sotme shqiptare, duke qenë se në të shtrohen çështje thelbësore që kanë bëjnë me:

  • qëllimet kyçe kombëtare,
  • mjetet për realizimin e atyre qëllimeve dhe
  • pengesat që duhej të kapërceheshin.

Këto tri pika Konica i ndërlidhi me nevojën e rritjes së komunikimit brendashqiptar, që do të rezultonin me zgjimin e vetëdijes kombëtare dhe ndërgjegjësimin e shqiptarëve për dallimet që kishin me turqit; me përcaktimin e një qendreje të vetme prej ku do të hidheshin idetë zhvillimore kombëtare; me respektimin e ligjit dhe autoritetit; me tejkalimin e antagonizmave fetare ndërshqiptare; me demaskimin dhe mposhtjen e propagandave të huaja; me zvogëlimin e autoritetit të diasporës shqiptare, që shpesh degjeneronte në shërbim të të huajve; me nevojën e forcave përbashkuese shqiptare, që do të duhej të nxiten kryesisht përmes gazetave, shkollave, shoqatave dhe propagandës spontane dhe të pandërprerë. Krejt kjo duhej të arrihet nëpërmjet ngritjes së linjave të komunikimit ndërshqiptar, brenda e jashtë shtetit: medieve të shkruara – gazetave e revistave me përmbajtje kombëtare (folklor, histori, poezi atdhetare, artikuj kulture e politike…) të shkruara në dy dialektet e shqipes dhe në frëngjishte; broshurave dhe librave të kuptueshëm; shoqatave të ndryshme të qytetarëve; dërgimit të korrespondentëve të gazetave edhe në pjesët më të largëta shqiptare, që ishin më të rrezikuara prej fqinjëve…; domosdoshmërisë së hapjes së shkollave në gjuhën shqipe e hajt bir.

S’do mend se modeli konician i komunikimit kulturor brendashqiptar, duhet t’na e kujtojë sa bie sahati.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button