Arifi: Duhet të implementohen të gjtha marrëveshjet Kosovë-Serbi

 Shefi i delegacionit negociator për dialogun me Serbinë në Qeverinë e Kosovës, Avni Arifi, ka raportuar para Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike lidhur me bisedimet Kosovë-Serbi, raporton Anadolu Agency (AA).

Arifi tha se dialogu me Serbinë nuk po ndodhë në mënyrë jotransparente, duke kërkuar që secila parti të ketë nga një përfaqësues në takimet e ekipit në Bruksel.

Arifi po ashtu theksoi se Qeveria e Serbisë ka një fushatë në të gjitha kryeqytetet e Evropës ku pretendojnë se kanë zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në Bruksel. Sipas Arifit, Serbia është tërhequr nga dialogu në momentin që nuk ka pasur diçka konkrete sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (ASK) dhe dialogu ka kaluar në monolog.

Ai u shpreh se në Bruksel kanë shkuar që të demostrojmë gatishmërinë e palës kosovare për implementimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në mes Kosovës dhe Sërbisë.

Duke theksuar se pala kosovare është e koncentruar të përfundojë dialogu me një epilog të prerë, Arifi tha se marrëveshja për energji ende nuk është bërë dhe duhet të implementohet kjo marrëveshje.

Ndërkaq, kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në botë po krijohet një bindje e gabueshme që Kosova ka ngecje në implementimin e marrëveshjeve, ndërsa Serbia po ecë përpara. Ajo kërkoj nga qeveria të jetë shumë më e zëshme për ta treguar të vërtetën e procesit të dialogut.

Duke thënë se është duke ndodhur një dialog paralel në nivel presidentësh, Osmani tha se Arifi ka deklaruar në raportimin e kaluar se përkundër faktit që bisedimet zhvillohen edhe nga ana e presidentit Thaçi, nuk ka dakordim brenda Qeverisë së Kosovës që presidenti ta udhëheq pjesën politike të dialogut.

“Përderisa ju keni pasur bisedime edhe për çështjen e asociacionit në Bruksel, ne kemi një proces tërësisht paralel po ashtu për asosiacionin në nivel presidentësh. Ku është koordinimi, a i keni ju të gjitha detajet e takimeve të presidentit Thaçi me presidentin e Serbisë, Vuciç”, tha Osmani.

Ndërkaq, i pyetur për dialogun në nivel të presidentëve, Arifi tha se këshilltari i presidentit Thaçi, Ardian Arifaj, i cili është pjesë e ekipit negociues, e informon presidentin, ndërsa presidenti është në dialog të vazhdueshëm me kryeministrin Haradinaj. Ai tha se vendimmarja e presidentit në çështjen e dialogut buron nga kushtetuta.

Lidhur me ASK-në, Arifi tha se duhet të fillojë procesi i koordinimit për formimin e tij, sepse është një vendim i marrë nga qeveria e kaluar dhe gëzon përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar. Ai potencoi se duhet të ketë një pajtuehmëri në tërë shoqërinë lidhur me ASK-në dhe ajo që ka marrë qeveria përsipër duhet të jetë në përputhje me kushtetutën e Kosovës.

Nga ana tjetër, anëtari i komisionit, deputeti nga Grupi i Deputetëve të Pavarur (GDP), Visar Ymeri, lidhur me marrëveshjën për energjinë pyeti nëse do të themelohet kompania për prodhimin e energjisë elektrike në veri dhe a do të ketë miratimin e Qeverisë së Kosovës.

Arifi u përgjigj duke thënë se kanë mundësuar regjistrimin e të gjitha bizneseve edhe në veri të Kosovës, ku Agjencioni për Regjistrim të Bizneseve është duke vepruar edhe në veri.

Ndryshe, Avni Arifi muajin e kaluar ka raportuar para komisionit lidhur me Platformën e Qeverisë së Kosovës për procesin e dialogut, ku ka njoftuar se në këtë takim do të bisedohet për implemtimin e marrëveshjeve të arritura deri më tani në të cilat ka ngecje në implementim.

Muajin janar, Arifi dhe ekipi negociator nga Kosova qëndruan në Bruksel për takimin e radhës të procesit të dialogut mes ekipit nga Prishtina dhe atij nga Beogradi, por takimi ishte anuluar për shkak të vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviç.

Zëdhënësja e BE-së, Maja Kocijançiç, lidhur me takimin e fundit në mes të ekipit të Prishtinës dhe Beogradit në dialogun teknik që u mbajt më 26 shkurt në Bruksel, ka thënë se është zhvilluar në një frymë konstruktive por pa ndonjë rezultat konkret.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështje teknike ka nisur në mars të vitit 2011.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button