Kosova, ende në “syrin e ciklonit” të politikës botërore

Shmangia e Kryeministrit të Kosovës nga bisedimet me palën serbe në Bruksel dhe kalimi i atributeve Presidentit të Kosovës, nuk mund të mos shihet me lentën kritike të politikës dhe opinionit në Kosovë, duke sjellë një varg akuzash për këtë të fundit, për shkak të lëshimeve graduale në dëm të pavarësisë së Kosovës. Shkak i kësaj shmangie, mund të jetë kërkesa që kryeministri i Kosovës shfaqi hapur për praninë e faktorit amerikan në këto bisedime. Kosova edhe në këtë situatë pret si faktor në bisedimet me Serbinë përfaqësinë amerikane, gjë që nuk shihet me sy të mirë nga funksionarët e BE-së.

Si kundërpeshë në qëndrimin politiko diplomatik, pala serbe e pranon këtë propozim, duke kërkuar hapur që në bisedime të jenë edhe përfaqësuesit e Rusisë. Natyrisht në të dy rastet, nëse ky opsion do të pranohej, atëherë këta përfaqësues do të jenë në nivel ekspertësh. Por ka një arsye që duhet shpjeguar, përse po hidhet kjo ide veprimi, kur deri tani praktika protokollare e BE-së ka vazhduar në një raund të gjatë të ballafaqimit Kosovë – Serbi?

Të arsyetojmë në vija të përgjithshme. Nëse Rusia do të vijë në tavolinën e bisedimeve, atëherë në këtë lloj ulje, sigurisht do të jenë të pranishme kompromiset politike. Teknicienët që mund të marrin pjesë në bisedime, si ata amerikan dhe ata rus, e dinë dhe e kanë të qartë faktin që, Kosova nuk mund të rikthehet më Serbisë. Diplomacia serbe nga ana e saj, e kërkon Rusinë si një garanci përpara popullit serb, duke justifikuar praninë amerikane në krah të Kosovës.

Atëherë, çfarë fiton Rusia në një proces të tillë? Në këtë situatë izolimi, Rusia fiton të drejtën e politikës së kompromiseve me SHBA-të. Kështu me këtë rast, do të jepet modeli i “besimit reciprok” në zgjidhjen e problemeve. Të drejtat e pakicave në Kosovë me këtë rast do të sanksionohen, dhe kjo mund të sjellë ri-përcaktimin e modelit të sistemit politik të pushtetit brenda Kosovës, i cili mund të formatohet mbi bazën e Kushtetutës së ardhshme. Çfarë modeli do të ketë Kosova, kryeministrore apo presidenciale?

Nga këto bisedime, të cilat mund të monitorohen apo të vëzhgohen direkt, mund të pranohet në të ardhmen që Kosova t’i bashkohet Shqipërisë, me synimin që Bosnje Hercegovina të shkojë drejt shpërbërjes së saj. Ky kompromis i madh, i çon rusët tek kërkesat e tyre mbi të drejtat e popullsisë ruse në Ukrainë, në vendet baltike, apo në rastin e pranimit të shkëputjes së Krimesë etj. Në kushtet e një kompromisi të tillë të mundshëm, zvogëlohet shumë rreziku rus ndaj Evropës, pasi vendet evropiane anëtare të NATO-s, nuk do të përbëjnë më “kordonin sanitar” kundër Rusisë. Kjo do të çonte në largimin e frikës së Polonisë ndaj rrezikut rus, e cila në situatën e sotme për këtë shkak po agresohet në politikën e saj brenda BE-së.

Me sa duket po vjen koha që të vërtetohet se liderët e mëdhenj botëror kanë ndarë rolet e tyre, veçanërisht pas zgjedhjes së Trampit president i SHBA-ve, rizgjedhjes së Putin president i Rusisë dhe jetësimi i mandatit presidencial në Kinë. Këto kompromise të mëdha mund të çojnë në hapjen e “Kutisë së Pandorës” në Ballkan dhe mund ta orientojnë rajonin drejt një stabiliteti dhe paqeje më të sigurtë.

Kjo situatë e bën Kosovën të jetë akoma në “syrin e ciklonit” të politikës dhe diplomacisë botërore. Ngjarjet e ditëve të fundit në Mitrovicën Veriore pas takimit Thaçi – Vuçiç, mund të jetë një skenar provokativ, që tenton ta orientojë përplasjen në nivel ndërkombëtar, për pranimin e kushteve të tilla që trajtuam më lartë, aq më tepër kur në muajin prill pritet një marrëveshje përmbledhëse midis Kosovës dhe Serbisë, e cila peshën specifike e ka tek qëndrimi i politikës së shtetit serb. A është e përgatitur politika shqiptare për situate të tilla të pritshme? Kur shtrojmë këtë pyetje, kemi parasysh politikën shqiptare në Prishtinë dhe në Tiranë, të cilat janë pjesë e procesit në planin kombëtar.

Vendimi i fundit në Parlamentin e Kosovës për kalimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, i trajtuar në një rrugë të gjatë 3 vjeçare të kundërshtimit, nuk ka kaluar pa pasoja në opinionin shqiptar në Kosovë.

“Aksionet” politike të qeverisë Haradinaj me këtë rast kanë rënë shumë. Ngjarja në Mitrovicën Veriore i shtohet situatës me dy opsione të mundshme. Rritjen e “aksioneve” politike të Presidencës dhe Kryetarit të Kuvendit për ndërhyrjen profesionale dhe zbatimin e ligjeve të sigurisë në shtetin e Kosovës, si dhe premisat për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, për shkak të largimit në bllok të Listës Serbska nga ekzekutivi. Me sa duket, Ramush Haradinaj e plotësoi misionin e tij. Tashmë ai duhet të largohet, për t’i hapur rrugën një tjetër lideri që të ketë “kredenciale” të larta në opinionin e brendshëm në Kosovë.

Faktori ndërkombëtar, duke vlerësuar deklaratat e tyre pas ngjarjes në Mitrovicën Veriore, lë të nënkuptohet që, ndërhyrja është e rrezikshme, e nxituar, nuk duhej bërë, pasi mund ta avancojë situatën negativisht në prag të marrëveshjes Kosovë – Serbi. Ata e dinë që, qeveria Haradinaj nuk mund të përballojë një situatë të dytë të rënduar siç pritet nga miratimi apo jo në Kuvend i “Zajednicës”. Nëse kalimi i demarkacionit kishte dehe pranoi disa doza të zbutjes nga deputetët, në procesin e pritshëm për kalimin e Asosacionit, qëndrimi i tyre nuk mund të pritet njësoj. Shkak është presioni qytetar, i cili ka dhënë sinjalet e mospranimit, veçanërisht nga partia më e madhe në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje. Kjo parti përbën problemin më të madh për politikën dhe diplomacinë evropiane. Qëndrimi i saj në Kuvend kundër demarkacionit, tregoi këmbënguljen e kësaj partie në planin e vlerësimit të interesave të Kosovës dhe interesave kombëtare.

Duke analizuar këtë fakt, Lëvizja “Vetëvendosje”, e ka të nevojshme të ristrukturojë mendimin dhe taktikat e luftës politike. Veprimet ekstreme në Parlament nuk sjellim më diçka të re për opinionin shqiptar, përkundrazi. Në çështjen e demarkacionit problemi qëndron; U fal tokë Malit të Zi? Të kujt janë pronat që mbetën matanë kufirit? Ku kalon sot kufiri i ish krahinës Autonome të Kosovës në kohën e ish Jugosllavisë? Nëse është shkelur kjo hartë, atëherë këtu klasa politike në Kosovë duhet të akuzohet rëndë për tradhëti ndaj interesave kombëtare.

Në luftën politike kundër demarkacionit, Lëvizja “Vetëvendosje”, nuk kishte nevojë të bënte veprime me mjete tymuese në Kuvend. Nëse duhet të distancohej, ajo e kishte mundësinë të mblidhte deputetët e saj në një vend tjetër dhe të evidenconte lehtë deputetët që votuan “pro”. Të mos harrojmë që, në Kuvendin e Kosovës priten sfida edhe më të mëdha, që kanë të bëjnë me kalimin e Asosacionit të komunave dhe të një marrëveshje më të plotë mbi bisedimet Kosovë – Serbi.

Në këto kushte, Lëvizja “Vetëvendosje” duhet të kalojë në një opsion më të avancuar politik. Faza e denoncimit të lëshimeve politike në dëm të Kosovës, e ka dhënë produktin e saj. Demarkacioni është shembulli më praktik, që është diskutuar dhe kundërshtuar mjaft në opinionin qytetar. Lëvizja “Vetëvendosje”, duhet të kalojë në aksionin politik të protestës në rrugë, me synimin për marrjen e pushtetit brenda të drejtës së saj kushtetuese në Kosovë. Kjo mundësohet, fal gabimeve trashanike që kanë bërë deri tani partitë në pushtet. Ajo duhet të punojë për të vijëzuar rrugët që e çojnë drejt pushtetit.

Kosova nuk është më çështje personale, por një çështje e rëndësishme e interesave kombëtare. Në planin e jashtëm, Lëvizja “Vetëvendosje”, e mbështetur në vullnetin qytetar, duhet të mbajë qëndrime të prera ndaj faktorit ndërkombëtar, i cili vazhdon të bëjë pazare, duke e cilësuar shtetin e Kosovës “një palë të dobët” në rajon. Lëvizja “Vetëvendosje” duhet të mbrojë me argument parimet e këtyre marrëdhënieve. Klasa politike në Kosovë nuk e gëzon më besimin e popullit në shumicë. Opinion e ka kuptuar shumë mirë me kë ka të bëjë në figurat qëndrore të shtetit. Ata duhet të kalojnë në filtër dhe të demaskohen për korrupsionin e lartë. Duhet të vihet me fakte në balancë kontributi i tyre real në çështjen kombëtare dhe në ruajtjen e pavarësisë së Kosovës. Kalimi me lojëra patriotike dhe shpallja e njerëzve të korruptuar si “shpëtimtar” të Kosovës, duhet të demaskohet dhe të marrë fund. Politika nuk është trasparente me opinionin qytetar dhe shpesh shfaqet antikushtetuese, kur kreret e shtetit vazhdojnë të bëjnë takime të fshehta apo të hapura, pa miratimin e Kuvendit, vendosin prapa kuintave politike për të ardhmen e Kosovës. Çfarë pazaresh fshihen pas këtyre veprimeve?

Në këto kushte, Lëvizja “Vetëvendosje”, propagandën dhe veprimin e saj duhet ta zbres pranë njerëzve të thjeshtë. Ajo duhet të dalë nga lëvozhga e ngushtë dhe të rris veprimin e depërtimit në popull. Edhe pse u godit nga brenda nga njerëz të blerë nga pushteti, ajo duhet të shfaq qëndrueshmëri politike. Dalja nga guaca e ngushtë e veprimit të brendshëm, duhet të reflektohet në lëvizjet politike jashtë Kosovës. Ajo e ka detyrim të forcojë marrëdhëniet me politikën në Republikën e Shqipërisë, me strukturat politike të shqiptarëve në Maqedoni dhe në Malin e Zi, për të forcuar jo vetëm qëndrimin patriotik, por edhe institucionalizimin e këtyre lidhjeve të qëndrueshme, që e bëjnë atë një parti politike progresiste.

Orientimin diplomatik duhet ta vërë në veprim. Lëvizja “Vetëvendosje”, duhet të gjej aleatët e saj brenda Parlamentit Evropian. Eurodeputetët mund të kenë rezerva për opsionin e saj politik të çështjes së  bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, por ata mund të jenë shumë të ndjeshëm në raport me respektimin e lirive dhe të drejtave njerëzore në Kosovë, kundër diktatit politik, të cilat marrin shumë hapësirë në demokratizimin e jetës qytetare e politike në Kosovë. Drejtuesit e Lëvizjes “Vetëvendosje”, duhet të trokasin në dyert e kancelarive më të mëdha të Evropës, të cilat e kanë mbështetur deri tani të drejtën e shtetit të ri të Kosovës.

Lëvizja “Vetëvendosje”, e justifikon një veprimtari të tillë, pasi sot për sot rezulton partia me e madhe në Kosovë dhe kjo nuk është pak. Populli në Kosovë gjithçka e ka dëgjuar dhe në këtë kohë grindjet e brendshme politike nuk kanë më vlerë. Duhen argument për t’i diskretituar me lëvizje dhe qëndrime politike të dëshmuara, që kanë vërtetuar vizionin dhe luftën politike të drejtë të saj. Në këtë çështje, ajo nuk duhet të jap përshtypjen e ngjyrosjes me bojë në spektrin politik. Çështja kombëtare nuk ka pozicione majtas apo djathtas. Pozicioni i ekuilibruar ndryshe, jep imazhin shumë pozitiv dhe gjithëpërfshirës. Përplasjes së hapur i ka ardhur fundi. Tani ka shumë rëndësi veprimtaria e organizuar jashtë Parlamentit. Qëndron akoma në vlera taktika politike “nga periferia në qendër”, e cila në rastin e protestës së madhe në qendër të Prishtinës dha rezultat. Në qendër të aksionit duhet të jetë demaskimi i tradhtisë, pazareve dhe shitjes së interesave të Kosovës në dëm të pavarësisë së saj.

Pas qëndrimeve të lëkundura dhe kompromentuese në disa raste e faktorit ndërkombëtar, qëndrojnë interesat mbi pasurinë e madhe që ka sot toka e Kosovës, e cila i kalon shumë herë në vlerë pasuritë e Shqipërisë. Kjo prapavijë politike, ka interes të zgjedh njerëzit e kapur në krye të shtetit dhe të politikës. Po kështu edhe synimi për “këmbimin e territoreve” është një vijë sjellje me prapavijë të errët. Kundër këtyre manovrave, qëndrimi për “mos ndryshimin e kufijve” të Kosovës, do të ruaj në vazhdimësi tërësinë territoriale dhe pasuritë e saj, drejt një shteti të konsoliduar demokratik. Zhvillimi pozitiv i situatës në Kosovë, është detyrim i klasës politike, inteligjencies atdhetare për të plotësuar aspiratat demokratike të qytetarëve të saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button