Kryetari i Gjykatës Supreme do ta humb të drejtën e votës në Këshillin Gjyqësor

Me propozim-ligjin e ri për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Këshillin Gjyqësor, që është në lexim të parë në Komisionin kuvendor propozohet që kryetari i Gjykatës Supreme, që është anëtar i Këshillit, ta humb të drejtën e votës dhe të hiqet mundësia e ndikimit të tij në mënyrën e vendosjes në Këshill, transmeton Portalb.mk.

Ky ndryshim është në përputhje me strategjinë nacionale për reforma në sektorin gjyqësor. Me ndryshimet propozohet shkurtim të mandatit të kryetarit të Këshillit nga tre në dy vite pa të drejtë për rizgjedhje, sepse ai është i pari mes të barabartëve dhe të gjithë anëtarët me të drejtë vote gëzojnë të drejta, obligime dhe përgjegjësi të barabarta si anëtarë.

Parashikohet që gjykatësi si kandidat për anëtar të Këshillit t’i dorëzojë vlerësimet e rezultateve nga puna e tij për tre vitet e fundit.

Me ndryshimet e ligjit kufizohet mundësia për anëtar të këshillit që e zgjedh Kuvendi të jetë gjykatës i propozuar ose prokuror publik që në momentin e shpalljes kryen funksion gjyqësor ose të prokurorit publik. Kjo propozohet që të mos prishet balanci i përfaqësimit të barabartë të gjykatësve dhe juristëve të shquar në Këshill.

Anëtarët e Këshillit gjyqësor do të mund të largohen përkohësisht nga kryerja e funksionit anëtar i Këshillit në rast kur për anëtar të këshillit është miratuar akt prokurorial për vepër penale keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizim në kryerjen e funksionit si anëtar i Këshillit ose vepër tjetër për të cilën është parashikuar me burg të pakushtëzuar prej gjashtë muajsh.

Propozohet që vendimin ta miratojë Këshilli me dy të tretën e shumicës së votave nga numri i përgjithshëm i anëtarëve me të drejtë vote.

Në nenin 11 vendoset nen i ri me të cilin kufizohet mundësia e anëtarit të këshillit që gjatë mandatit të tij të jetë i zgjedhur për gjykatës në gjykatë më të lartë ose për kryetar të gjykatës. Me plotësimin e propozuar të ligjit hiqet mundësia për çdo anëtarë i Këshillit që gjatë mandatit të tij si anëtar i Këshillit, të ndikojë në punën e Këshillit.

Krijohen mundësi për fillimin e procedurës për konfirmimin e përgjegjësisë së gjykatësit të dorëzohet nga secili aplikant që ka interes për atë.

Me nenin 49 propozohet deklasifikimi i përmbajtjes së vendimit për vlerësim të punës së gjykatësve dhe kryetarit të Këshillit nga shkaku se ato kryejnë funksion publik.

Ndryshe, pak më parë Qeveria e Maqedonisë, në seancën e 57-të ka formuar Këshillin për ndjekjen e implementimit të strategjisë në gjyqësor për periudhën 2017- 2022.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button