Zbuluesit e skandalit me përgjimet (bombat) në Maqedoni morën çmim ndërkombëtar për fjalën e lirë

Gjorgji Lazarevski  dhe Zvonko Kostovski u nderuan me çmimin e fjalës së lirë për guximin dhe heroizmin e tyre për ekspozimin e përgjimit të më shumë se 20 mijë kundërshtarëve politikë nga qeveria e ish-kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevski, transmeton KALLXO.com. 

Çmimi i Fjalës së Lirë shpërndahet çdo vit nga Koalicioni i Evropës Juglindore mbi Mbrojtjen e Kallxuesve dhe Qendra Evropiane për të Drejtat e kallxuesve.

Gjorgji Lazarevski kaloi 11 muaj burg, shumicën e kohës në izolim, si ndëshkim për ekspozimin e përgjimit të paligjshëm.

Derisa ishin kolegë në Zyrën Maqedonase për Siguri dhe Kundërligjshmëri, Lazarevski dhe Kostovski punuan për tre vjet për të dokumentuar përgjimin e paligjshëm të 20 mijë zyrtarëve publikë, biznesmenëve, aktivistëve, gazetarëve dhe personave të tjerë të dyshuar nga Gruevski.

Zbulimi publik tronditës i përgjimit në masë në vitin 2015 çoi në dorëheqjen e Gruevskit, në zgjedhjet e reja në 2016, në formimin e një qeverie të re në vitin 2017 dhe në padinë e 94 njerëzve dhe shtatë kompanive.

Mark Worth, themelues i Qendrës Evropiane për të Drejtat e Kallxuesve dhe bashkëthemelues i Koalicionit të Evropës Juglindore mbi Mbrojtjen e Kallxuesve para se të ndahej çmimi foli pak edhe për gjendjen në Kosovë.

Worth tregoi se atij i është thënë se në Kosovë është provuar gjithçka dhe gjërat përsëri nuk janë më mirë. Por Worth tha se për shkak se gjërat nuk janë më mirë do të thotë se nuk janë provuar të gjitha.

“Mendoj se nuk i kemi provuar të gjitha, ju premtoj dhe besoj se qytetarët e Kosovës besojnë që nuk i kam bërë të gjitha. Sot po lansojmë fillimin e një lëvizje të re, lëvizja e qytetarëve, jo e partive politike, jo e interesave të veçanta, nuk është një lëvizje e njerëzve që e udhëheqin vendin por e njerëzve që e drejtojnë me të vërtetë vendin, e ata janë qytetarët”, theksoi Worth.

Më tej shtoi se sot është fillimi i një epoke të re dhe se nuk do të jetë vetëm qeveria që vendos se çka është e mirë për qytetarët por qytetarët do të vendosin se çka është e mirë për ta.

Gjorgji Lazarevski e pranoi çmimin për lirinë e fjalës nga kallxuesi kosovar Murat Mehmeti, denoncuesi i skemës së evazionit fiskal në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).

Ai pavarësisht presionit që ka marrë në vendin e punës ka dalë publikisht për të treguar rrjetin e organizuar për evazion fiskal të më shumë se 200 bizneseve kosovare.

Derisa Mehmeti po ia dorëzonte çmimit kolegut të tij nga Maqedonia tregoi se ka ende vështirësi pasi ka denoncuar rastin e evazionit fiskal

“Mbijetoj brenda institucionit për shkak të mediave se sigurisht do ta kisha pësuar”, potencoi Mehmeti.

Kallxuesi maqedon Gjorgji Lazarovski i cili pranoi çmimin edhe për kolegun e tij Zvonko Koztovski tha se sot nuk ka dyshim se gjithë vuajtje që ata dhe familjet e tyre kanë kaluar, nuk kanë shkuar dëm.

“Të preukopuar me problemet, njerëzit e thjeshtë nuk mund t’i kuptonin keqbërjet por sa morën vesh ata u ngritën. Jam i lumtur që tani njerëzit flasin me zë të lartë, besoj që askush më mund t’i ndaloj njerëzit të flasin. Aksioni pas veprimit tonë ishte përtej pritshmërive tona”, potencoi Lazarovski.

Dita Ndërkombëtare e Kallxuesve dhe Java e Fjalës së Lirë në Kosovë  filloi nga 19 marsi dhe deri me 24 mars.

Dita Ndërkombëtare e Kallxuesve është dita kur bota nderon qytetarët që kanë integritetin dhe guximin për të raportuar sjellje të paligjshme ndërsa të tjerët qëndrojnë të heshtur. Gjithashtu u ofron qytetarëve mundësinë për të raportuar krimin, korrupsionin dhe kërcënimet për shëndetin publik nëpërmjet portaleve online të sigurt dhe konfidencial.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button