Dimitrov- Kneissl: Fryma e Vjenës të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së emrit

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov ka pritur sot në takim homologen e tij austriake, ministren për Evropë, Integrim dhe Punë të Jashtme, Karin Kneissl, raporton Anadolu Agency (AA).

Maqedonia dhe Austria shpresojnë që fryma e Vjenës të paraqesë një ndihmesë të madhe në drejtim të zgjidhjes së kontestit të emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë, ministrat e Jashtëm të të cilëve do të takohen të premten në kryeqytetin austriak me ndërmjetësim të lehtësuesit të OKB-së Mathew Nimetz. Ky optimizëm u shfaq pas takimit të sotëm të ministrit Dimitrov dhe ministres austriake Kneissl.

Ky takim është paraprirë me takimet dypalëshe të delegacioneve.

Ministri Dimitrov tha se Austria është një shtet i angazhuar me interes të theksuar që Ballkani të ecë përpara, dhe si i tillë është një përkrahës i fortë i perspektivës evropiane të rajonit, ndërkohë që nuk ka munguar as ndihma në menaxhimin me kufijtë përmes policëve austriakë të cilët qëndrojnë këtu por edhe këmbimi tregtar është i konsiderueshëm.

Ai tha se Austria do të kryesojë me Këshillin e BE-së nga 1 korriku, për gjysëm viti, gjatë të cilit të gjithë në Ballkan shpresojmë sukses në aspekt të integrimit në BE.

Kneissl nga ana e saj tha se procesi i zgjerimit do të jetë temë diskutimi edhe në takimin joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së, që do të mbahet në gusht të këtij viti, pasi sipas saj, Austria por edhe BE-ja e kanë të qartë rëndësinë që ka ky rajon mbi stabilitetin e BE-së si një tërësi.

Të dy zyrtarët e lartë, folën edhe për pritjet që ka Maqedonia nga kryesimi austriak me Këshillin e BE-së, por edhe për ndihmën që mund ta ofrojë ky vend, për zgjidhjen e kontestit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë.

“Për sa i përket takimit të së premtes me ministrin Kotzias dhe ndërmjetësit të OKB-së, Nimetz, pres që fryma dhe tradita e Vjenës do të na ndihmojë ta lëvizim problemin nga vendi, me gjëra konkrete dhe afër zgjidhjes. Fillimisht, ky problem është i rëndësishëm për ne, por edhe për palën tjetër, ndërkohë që ka implikime edhe të jashtme dhe ndikon në politikën e BE-së ndaj Ballkanit”, tha Dimitrov.

“Gjatë kryesimit austriak, pres që pas vendimit politik të shteteve anëtare në qershor Maqedonia të nis negociatat, për çka shpresoj shumë që kjo të ndodhë gjatë kryesimit gjashtëmujor të Austrisë”, theksoi Dimitrov.

Ministrja austriake Kneissl tha se është sinqerisht e lumtur, nga fakti se vendi i saj, është në situatë t’u ndihmojë dy shteteve të kapërcejnë mosmarrëveshjet që kanë.

“Jemi të lumtur nga mundësia që na është dhënë që të jemi vend për dialog që është një formë e diplomacisë. Ne nuk jemi ndërmjetës, por vend nikoqir i negociatave dhe do të bëjmë çmos të sigurojmë kushte të diskrecionit për mbajtjen e këtyre negociatave. Mbetemi me shpresë që fryma e Vjenës të ketë një ndikim pozitiv”, tha zyrtarja austriake.

Sipas paralajmërimeve, Kneissl do të takojë edhe zv/kryeministrin për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe më vonë kryeministrin Zoran Zaev, pas çka është paraparë një drekë pune me ministrin e Jashtëm, Dimitrov.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button