Mes tingujsh të violinës dhe bërjes së shqiponjës, në Tetovë nisi “Skena e muzikës serioze shqiptare” (FOTO)

Nën organizimin e shoqatës “Allegretto”, dhe me me koncertin e “West Coast Symphony Orchestra” me dirigjent Bujar Llapaj dje në Qendrën e Kulturës së Tetovës nisi manifestimi  “Skena e muzikës serioze shqiptare”, njofton Portalb.mk.

Në ngjarje i pranishëm ishte edhe sekretari shtetëror i Ministrisë së Kulturës, financuese e projektit në fjalë, Valmir Aziri i cili njëherit edhe bëri hapjen e nisjes së manifestimit “Skena e muzikës serioze shqiptare”.

Sekretari Aziri përshëndeti të pranishmit dhe përgëzoi organizatorët për punën e tyre të palodhshme të cilët vite me radhë i shtojnë skenës kulturore emra me peshë.

“Ministria e Kulturës në vazhdimësi do të jetë mbështetje e të bukurës dhe pasurimit të kulturës shqiptare duke ofruar maksimumin për artistët të cilët japin kontribut të madh në këtë drejtim”, tha Aziri.

Ndërkaq, organizatori i manifestimit profesori i muzikës, Fatos Lumani u shpreh i kënaqur nga mënyra se si nisi manifestimi.

“Manifestimi u realizua shumë mirë dhe unë jam i kënaqur nga mënyra se si nisi edicioni i gjashtë i Skenës së Muzikës Serioze Shqiptare. Padyshim, se publiku që ishte në numër të madh ia dha sharmin e vërtetë. Presim që edhe më 7 prill të jetë një natë madhështore, sepse aty do të ketë laramani muzikore, duke përfshirë edhe jazzin si lloj të muzikës”, tha Lumani.

Manifestimi “Skena e muzikës serioze shqiptare” vazhdon më 7 prill, me koncertin “Albanian National Brass Ensemble” me dirigjent Gridi Kraja.

Më 13 prill, ku nën drejtimin e dirigjentit Dritan Lumshi do të ketë koncerti ipërgatitur nga Teatri i Operës dhe Baletit të Tiranës.

Më 17 prill vijon koncerti i sopranos shqiptare nga Maqedonia, Nita Zenuni.

Koncerti i ansamblit “Sonoris” do të jetë më 24 prill.

Më 28 prill, kemi koncertin e “Trio Kosova”, të përbërë nga violisti Blerim Grubi, violinistja Sihana Badivuku dhe violonçelisti Aristidh Prosi.

Më 29 prill vjen sopranoja me njohje ndërkombëtare Inva Mula, me koncertin e saj me Filharmoninë e Maqedonisë, nën drejtimin e dirigjentit Gridi Kraja.

Koncerti i Orkestrës Rinore të Shqiptarëve të Maqedonisë, nën udhëheqjen e dirigjentit të ri nga Maqedonia Premtim Etemi, do të mbahet më 3 maj, kurse kulminacion tjetër i këtij manifestimi është koncerti i “Tre Tenorëve dhe Orkestrës Filharmonike Ibrahim Madhi” me solist Josif GjipaliAdrian Xhema dhe Kastriot Tusha.

Risi për këtë vit është konkursi i Kompozitorëve të Rinj, ku do kenë mundësi të gjithë krijuesit e rinj të konkurrojnë me krijimet e tyre, me çka edhe ato më do ta kenë hapësirën e tyre promovuese brenda këtij festivali.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button