A na duhet teatri?

Mesazhi i regjisorit rus Anatoli Vassiliev në Ditën Botërore të Teatrit – 27 Mars 2018
Përktheu: Agon Myftari, regjisor.

Kjo është pyetja që me mijëra profesionistë të zhgënjyer me teatër dhe miliona njerëz të cilët janë lodhur nga e tëra kjo po i bëjnë vetes.
Për çfarë na duhet ai?

Në ato vite kur skena është aq e parëndësishme në krahasim me sheshet e qyteteve dhe tokat shtetërore, ku tragjeditë autentike të jetës reale po luhen.

Ç’është ai për ne?

Lozha e balkone të praruara në ar në sallat e teatrove, kolltuqe me kadife, xhepa skenash të pista, zëra aktorësh të lustruar mirë, – apo e kundërta, diçka që mund të shihet dukshëm më ndryshe: kuti të zeza, të njollosura me baltë e gjak, me një grumbull trupash lakuriqë të tërbuar përbrenda.

Ç’është në gjendje të na thotë ai?

Çdo gjë!

Teatri mund të na tregojë gjithçka.

Se si zotat banojnë në qiell, dhe se si të burgosurit vuajnë në shpella të harruara nën tokë, dhe se si pasioni mund të na lartësojë, dhe se si dashuria mund të na rrënojë, se si askush nuk ka nevojë për një njeri të mirë në këtë botë, dhe se si mashtrimi mbretëron, dhe se si njerëzit jetojnë në apartamente, ndërkohë që fëmijët vyshken në kampet e refugjatëve, dhe se si të gjithë ata do të duhet të kthehen prapë në shkretëtirë, dhe se si ditë pas dite ne jemi të shtyrë të ndahemi nga të dashurit tanë, – teatri mund t’i tregojë të gjitha.

Teatri ka qenë gjithnjë dhe do të mbetet përgjithmonë.

Dhe tani, në këta pesëdhjetë apo shtatëdhjetë vjetët e fundit, është veçanërisht i domosdoshëm. Sepse po t’ua hedhni një sy të gjitha arteve publike, ju mund të shihni menjëherë që vetëm teatri na jep – një fjalë nga goja në gojë, një shikim nga syri në sy, një gjest nga dora në dorë, e nga trupi në trup. Ai nuk ka nevojë për ndonjë ndërmjetës që të funksionojë mes qenieve njerëzore – ai përbën anën më transparente të dritës, nuk i përket as jugut, as veriut, as lindjes, e as perëndimit – oh jo, ai është thelbi i vetë dritës, që ndrin nga të katër anët e botës, i kapshëm në çast nga çdo person, qoftë armiqësor apo miqësor ndaj tij.

Dhe ne na duhet teatri që gjithnjë mbetet ndryshe, ne kemi nevojë për teatër të llojeve të ndryshme.

Megjithatë, mendoj se në mes të gjitha formave e trajtave të mundshme të teatrit format arkaike të tij tani do të dëshmojnë të jenë më të kërkuarat. Teatri i formave rituale nuk duhet të kundërshtohet artificialisht nga ai i shteteve “të civilizuara”.
Kultura laike tani po dobësohet gjithnjë e më tepër, i ashtquajturi “informacion kulturor” gradualisht zëvendëson dhe nxjer jashtë loje njësi të thjeshta, si edhe shprën tonë që përfundimisht t’i takojmë një ditë.

Por unë mund ta shoh qartë tani: teatri po i hap dyert e tij gjerësisht. Hyrje falas për të gjithë dhe për çdonjërin.

Në djall me pajisjet dhe kompjuterët – thjesht shkoni në teatër, zini të gjitha rreshtet nëpër salla dhe galeri, dëgjoni fjalën dhe shikoni imazhe të gjalla! – Është teatri para jush, mos e shpërfillni dhe mos e humbisni shansin për të marrë pjesë në të – ndoshta është mundësia më e çmuar që kemi në jetët tona të kota e të nxituara.

Ne kemi nevojë për çdo lloj teatri.

Ka vetëm një teatër për të cilin sigurisht askush nuk ka nevojë – Mendoj për një teatër të lojërave politike, një teatër të “kurtheve” politike, një teatër të politikanëve, një teatër të kotë të politikës. Ai për çfarë me siguri nuk kemi nevojë është një teatër i terrorit të përditshëm – qoftë individual apo kolektiv, ai që nuk na duhet është një teatër i kufomave dhe gjakut në rrugët dhe sheshet, në kryeqytete apo provinca, një teatër i rremë i përplasjeve mes feve apo grupeve etnike…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button