“Austria do të shtyjë përpara njohjen e Kosovës nga 5 shtetet e BE-së”

 Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka pritur në takim homologen e tij nga Austria, ministren për Evropë, Integrim dhe Çështje të Jashtme, Karin Kneissl, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë konferencës së përbashkët për media pas takimit me Pacollin, ministrja austriake, Karin Kneissl tha se Austria është ndër shtetet e para e cila ka hapur ambasadën e saj në Kosovë në vitin 2008. Duke folur për çështjet ekonomike ajo tha se ndërmarrësit austriak duhet të ndihmohen më shumë dhe të ketë më shumë siguri për të investuar në Kosovë.

Ministrja austriake foli edhe për arritjet e Kosovës në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar që është kusht nga Bashkimi Evropian për lëvizjën e lirë të qytetarëve të Kosovës në Zonën Schengen. Ajo tha se është informuar nga Pacolli për angazhimin e autoriteteve të Kosovës duke theksuar se ka ende gjëra që duhet të bëhen për të treguar që Kosova këtu po vepron arsyeshëm.

“Progresi të cilin Kosova e ka arritur posaqërisht nëse shikojmë ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi zyrtarisht mund të ju uroj për këtë marrëveshje. Ky është një hap vërtet qenjësor në aspektin e liberalizimit të vizave. E kam të qartë se në popullatë pritjet për liberalizimin e vizave janë të mëdha por në këtë drejtim përpos demarkarcionit me Malin e Zi duhet të ketë edhe rezultate të dukshme në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar”, tha Kneissl.

Ndërkaq, lidhur me procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, Kneissl tha se është proces i ndjeshëm dhe një temë e ndjeshme politike për çka potencoi se Austria përshendet punën dinamike të FSK-së veçanërisht integrimin e suksesshëm të rekrutëve serb kosovarë në FSK.

Duke folur për integrimin e shteteve të Evropës Juglindore në BE, ajo tha se shtetet e rajonit duhet ti afrohen BE-së sipas meritave dhe këto varën nga përgjegjësit në shtetet përkatëse. Kurse, për marrëveshjën e paqes në mes Kosovës dhe Serbisë ajo tha se Austria do të ndihmojë që të ketë marrëveshje në nivel komunash dhe në sferën politike dhe do të shtyjë përpara edhe njohjen e Kosovës nga pesë shtetet e BE-së.

Ndërsa, Zv/kreministri Pacolli gjatë konferencës tha se Austria e ka ndihmuar shumë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian dhe drejtë shoqërive të civilizuara. Duke përmendur çështjen e liberalizimit të vizave Pacolli tha se Kosova pothuajse ka përmbushur edhe kushtin tjetër që është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe ka kërkuar ndihmën e Austrisë që liberalizimi i vizave të ndodhë sa më shpejtë.

“E informova se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për ta mbushur edhe kushtin e mbetur për liberalizimin e vizave. Siç e dini edhe ju demarkacioni ka kaluar dhe kushti tjetër i cili pothuajse është i përmbushur. Unë kërkova nga homologia që të ndihmojë Kosovën në procesin e mëtutjeshëm të jetësimit të të drejtës universale të kosovarëve që të udhëtojnë edhe ata sikurse të tjerët pa viza drejt vendeve të Evropës”, tha Pacolli.

Ai vuri theksin edhe tek pesë vendet e BE-së të cilat nuk e kanë njohur Kosovën sidomos tek Sllovakia duke kërkuar ndihmën e Austrisë për njohjet dhe anëtarësimin e Kosovës tek organizatat ndërkombëtare. Pacolli tha se ka kërkuar poashtu edhe votën e Ausrisë për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL dhe të jetë sponsore e Kosovës në aplikimin e saj në Këshillin e Evropës.

Në çështjen e dialogut Kosovë- Serbi Pacolli tha se ka informuar ministren për problemet në implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani dhe për temat specifike të cilat çojnë drejt një kontrate të përhershme të paqes me Serbinë ku si rezultat do të ndodhë njohja e Kosovës nga Serbia.

Ai dha lajmin edhe për ekipin e ri negociator për çështjen e përfundimit të dialogut teknik dhe politik me Serbinë që do të udhëhiqet nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ku pjesë e ekipit do të jenë edhe përfaqësues nga Kuvendi dhe shoqëria civile, objektiv kryesor i të cilit do të jetë kontrata e paqes.

“Informova homologen për sfidat të cilat hasim ne sot nëpër botë ku Serbia pengon rrugëtimin e Kosovës dhe përhapjen e një propagande kundër Kosovës sidomos tek vendet që duhet ta njohin Kosovën dhe tek vendet që e kanë njohur Kosovën në insistimin e tyre që njohjet të tërhiqen. Këtu do të doja që ajo ta dijë që këto janë veprime që nuk i përkasin frymës së dialogut të cilin jemi duke e zhvilluar me Serbinë”, tha Pacolli.

Ministrja austriake gjatë ditës u prit në takim edhe nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button