Indonezi, biblioteka kombëtare 24-katëshe më e larta në botë

 Ndërtesa më e madhe e bibliotekës kombëtare në botë, me 24 kata ndodhet në kryeqytetin e Indonezisë, Xhakartë, raporton Anadolu Agency (AA).

Biblioteka Kombëtare e Indonezisë, me lartësi prej 124 metrash dhe me ndërtesën e saj 24 katëshe i pret mysafirët me një dizajn modern dhe karakteristikat e saj të pajisura me teknologjinë e fundit.

Në derën e bibliotekës, e cila në katin e hyrjes tërheq vëmendjen me dizajnin e një biblioteke gjigande, në gjuhët arabe, kineze, franceze dhe angleze shkruan “Biblioteka Kombëtare e Indonezisë”.

Në këtë ndërtesë, e cila është biblioteka më e madhe në vend, gjenden rreth 4 milionë vepra. Biblioteka është po ashtu nikoqir i 12 mijë veprave të mbetura nga shekujt 14, 16 dhe 18.

Çdo pjesë e kësaj biblioteke është dizajnuar në mënyrë që t’u shërbejë nevojave të ndryshme të vizitorëve, si bibliotekë, dhoma leximi, hapësira për ekspozitë dhe sinevizion, dhoma të multimedias si dhe një fushë loje ku familjet mund të kalojnë kohë me fëmijët e tyre.

Ndërsa në katin e tarracës ku për persona të verbër ndodhet një pjesë speciale me libra për të verbër si dhe libra audio dhe libra elektronike, vizitorëve u ofrohet një pamje unike e qytetit.

“Ndërtesa jonë e re është biblioteka kombëtare më e lartë në botë”

Drejtori i Përgjithshëm i Bibliotekës Kombëtare të Indonezisë, Agus Sutoyo thotë se me ndërtesën e re çdo ditë e më shumë rritet edhe numri i anëtarëve të bibliotekës.

“Biblioteka Kombëtare është themeluar në vitin 1980. Me rritjen e librave dhe të koleksioneve brenda viteve, lindi nevoja për t’u zhvendosur në një ndërtesë më të madhe. Në ndërtesën tonë të re, e cila përmendet si biblioteka më e lartë kombëtare në botë, ofrojmë kushte të reja për anëtarët tanë. Numri i vizitorëve është rritur edhe më shumë. Gjatë një jave, biblioteka jonë vizitohet nga afro 7.000 persona”, thotë Sutoyo.

Sipas tij, biblioteka përmban vepra të shumta historike dhe aktuale. “Në ndërtesën tonë të re synojmë që t’u shërbejmë të gjithëve. Me këtë qëllim kemi formuar hapësira të veçanta për fëmijët, të moshuarit, personat e verbër dhe nxënësit. Shtatë ditë të javës përpiqemi që t’u shërbejmë vizitorëve tanë në mënyrën më të mirë dhe teknologjinë më të re”, thotë Sutoyo.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button