Maqedoni, ministrat e BDI-së mbeten jotransparentë: duhet edhe llogaridhënie

Në debatin që u organizua sot ndërmjet Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë dhe “On Limit media”, kryetari i SHGM-së, Naser Selmani vlerësoi se në punën e gazetarëve, veçanërisht atyre shqiptarë vazhdojnë të jenë pengesë mostransparenca e ministrive të udhëhequra nga Bashkimi Demokratik për Integrim, ndërkohë që gazetarja hulumtuese, Sashka Cvetkosvska vlerësoi se nuk mjafton vetëm transparenca, në Maqedoni duhet t’i kushtohet rëndësi të madhe edhe llogaridhënies, transmeton Portalb.mk.

“Ka ndryshim në qasjen e Qeverisë së Maqedonisë në procesin e transparencës, por kjo nuk mjafton. Nuk është e rëndësishme të dihet a është ose jo i pranishëm korrupsioni, por me rëndësi është të dihet se a do të jepet llogari për korrupsionin. Ne flasim për harxhimet e ministrave, por duhet të shikohet se ku është keqpërdorimi këtu. Kishim skandalin e importit paralel të barnave, drejtorit të Fondit Shëndetësor as nuk iu dëgjua zëri, ngjashëm si ndodhi që edhe kryeministri Zoran Zaev nuk dha koment për të njëjtin”, tha Cvetkovska.

LEXO: Maqedoni, zbulohet ilaç i falsifikuar në shumë pako farmaceutike!
LEXO: MPB vërtetoi: ka pasur barëra të falsifikuara në Maqedoni, janë ngritur kallëzime penale

Ndërkaq kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Naser Selmani i cili njëherit është edhe kryeredaktor i njërit prej portaleve shqiptare, duke numëruar rastet e shumta, vlerësoi se ngecje në procesin e transparencës kanë ministritë të cilat udhëhiqen nga partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim.

“Problemi mbeten ministritë që udhëhiqen nga Bashkimi Demokratik për Integrim. Ato vazhdojnë të mos japin informacione për mediat shqiptare që janë kritikuese të tyre. Ato vazhdojnë të japin deklarata për mediat maqedonase, ndërkohë që për ato shqiptare nuk e bëjnë të njëjtën”, tha Selmani.

Ndërkaq gazetarja Sashka Cvetkovska deklaroi se jo vetëm ministritë, edhe komunat mbeten jo transparente, siç qëndron rasti me Komunën e Tetovës dhe atë të Çairit.

Kurse, ministri i Transparencës dhe Llogaridhënies, Robert Poposki deklaroi se ngecja në procesin e transparencës qeveritare është te punonjësit administrativë, që sipas tij ose nuk dinë ose nuk dëshirojnë t’i japin informatat.

“Administrata në Maqedoni edhe më tej mbetet problemi kryesor që institucionet shtetërore nuk janë transparente. Nuk mund të kemi transparencë nëse administratorët nuk dinë apo edhe nuk dëshirojnë t’i japin informatat”, tha Poposki.

LEXO MË SHUMË:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button