Ah, mentaliteti ynë i dashur!

Duke qenë se shumë shkruhet e pak thuhet, duke qenë se e vërteta shmanget e shumë pak kritikohet, duke qenë se guximi për të depërtuar zëri i arsyes gjithmonë e më shumë është në dekadencë, duke pasur parasysh të gjitha faktet dhe elementet gjithëpërfshirëse të problematikës thelbësore shoqërore nuk po shtjellohen dhe nuk po jepen në detaje të holluara, madje edhe as në pika të shkurtra, e ndiej nevojën e paskajshme për të thënë ca fjalë.

Këto fjalë , mbase thuhen në mënyra të ndryshme nga gojë  që shpesh nuk dëgjohen e ndonjëherë nuk depërtojnë deri te ai vesh që duhet ti dëgjoj.  Shpesh herë e pyesim veten, cili është problemi më i madh në jetën tonë që na shkakton neve kaq shumë çrregullime, kaq shumë padrejtësi, kaq shumë vuajtje, kaq shumë përbuzje e nënçmime? A mos është vallë një prej arsyeje kryesore fakti se ne jemi të varfër? Po si?Nëse jo, ku është shkaku dhe arsyeja e problemeve të shumta?

Nuk është problemi tek shoqëria jonë varfëria, e në veçanti varfëria ekonomike, sa është problemi varfëria mendore. Është pikërisht mentaliteti ynë i çorientuar, i degraduar, anti-progresiv, shumë dredhacak dhe smirëkeq që i jep jetës sonë një kahje në të cilën nuk kemi dashur të shkojë. Është pikërisht ky mentalitet që na bën të varfër. Ne jemi të varfër  në çdo aspekt, qoftë në aspekt shpirtëror, psikologjik e financiar. Fjala e urtë popullore thotë : “Atë që ta bën mendja, nuk ta bën askush”.

E si jemi të varfër shpirtërisht? Jemi të varfër shpirtërisht për shkak se nuk ja kemi lejuar vetës të kemi një shpirt të lirë. Ndoshta nuk jam teolog e të thellohem në detaje shpirtërore, por nuk ka nevojë të kesh diplomë teologjie të shohësh e të lexosh boshllëkun shpirtëror të shumicës së njerëzve që jetojnë me varfëri të tillë. Të stërmbushur me motive se si të mashtrojnë, si ta ngulin thikën njëri tjetrit para e pas shpina e me mungesë të dukshme të mirësjelljes dhe mirëkuptimit.  Mbase dikush mund të thotë se nuk është i varfër sepse i bën praktikat fetare, edhe pse vërehet te sjellja e tij e kundërta e veprimit të tillë.  Kot mundimi i praktikave fetare nëse vetës nuk i ke vendosur praktika morale dhe të edukatës ta bashkëshoqërojnë një veprim shpirtëror.

Po si jemi të varfër psikologjikisht?  Një varfëri të tillë që e sjell mentaliteti ynë është si prodhim i rregullave fikse të të menduarit. Jemi aq të ngulitur në një mendim dhe një traditë mendimi saqë nuk kemi lënë hapësirë për të depërtuar forca e argumentit. Kudo që ka një argument të shëndoshë, mundohet të gjendet një mënyrë për ta shuar, për ta heshtur ose për ta diskriminuar.  Me pak fjalë, jemi të varfër psikologjikisht sepse nuk jemi mendje-hapur. Jemi mendjemëdhenj, por assesi nuk jemi mendje-mëdhenj, mendje-errët e jo mendjendritur, mendje-kufizuar e jo mendje-çliruar.

Të gjitha këto na sjellin si pasojë edhe varfërinë financiare. Varfëria financiare jo se në të vërtetë varfëri për bukë e për ekzistencë, por varfëri financiare për gjëra të luksit. Sa qejf i kemi veturat, shtëpitë të rregulluara si nëpër pallate sikur të gjitha këto do ti kemi përgjithmonë. Nuk e mohoi nevojën esenciale e të pasurit mjete të mjaftueshme për ekzistencë, por nevojën e paepur për luks nuk e arsyetoj, madje e kundërshtoj. Pra, nuk jemi të varfër se s’kemi, por se duam më shumë. Të varfrit dihet se kush janë dhe si jetojnë. Shiheni Afrikën dhe mjafton!

Edhe pse u mundova pak të shtjelloj problemin themelor të ekzistencës shqiptare, problemin e mendjes, mentalitetit të çrregulluar aspak të mirëqenë e që e shqetëson çdo një njeri që mendon përtej kufizimeve  mendore që imponohen në këtë shoqëri, problemi i kësaj natyre do të jetë ekzistent përderisa nuk hyjmë në thelbin e tij. Pra, përderisa nuk ja parashtrojmë vetës pyetjet: Si ta ndryshojmë mentalitetin tonë? Si të çlirohemi nga prangat mendore që na ngushtojnë botën tonë shpirtërore, psikike, materiale si elemente kyçe në jetën tonë?, nuk ka mundësi për përmirësim të realitetit tonë. Varfëria do të na përcjell deri në varr përderisa nuk e çlirojmë mendjen nga prangat që ne vetë ia kemi imponuar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button