“Nga kujtesa ime” – ‘pikturë e gjallë’ përplot ngjyra, simbole dhe enigma

(Recension per librin autobiografik “Nga kujtesa ime”, Bekim Ramadani)

Libri “Nga kujtesa ime” i autorit Zeqir Ismaili, i shkruar me një gjuhë të thjeshtë, të kapshme dhe të afërt me lexuesin e rëndomtë, zbulon të gjitha detajet që ndërlidhen me shtëpinë, me oborrin, me mjedisin ku ai lindi e u rrit, me lagjen Hasnalle të fshatit Xhepçisht, me rrugën e shkollimit e të punësimit, me përvojën e tij profesionale, përfshirë edhe udhëtimet e shumta nëpër qendra të njohura të botës, pastaj me peripecitë e kohës, me rrjedhat politike shumë dramatike, me zhvillimet e papritura dhe të befasishme në jetën shoqërore, me përgjegjësinë e madhe si nëpunës i lartë në njërin nga kombinatet  metalurgjike më të fuqishme të rajonit, me pasojat e tranzicionit të stërzgjatur e deri te pensionimi i tij.  Nga i tërë ky mozaik, te lexuesi vetvetiu shfaqet portreti i një burri të pjekur dhe fisnik, i një njeriu të gjallë dhe të mençur, i personazhit kryesor që jetoi në kohë zhvillimesh dhe ndryshimesh të jashtëzakonshme.

Kopertina

Autori i këtij libri e ka jetuar edhe kohën e draprit edhe të makinës korrëse, edhe kohën e shatit edhe të traktorit, edhe kohën e qerres edhe të aeroplanit, edhe kohën e penës edhe të kompjuterit, e ka jetuar jetën në të gjitha nivelet, në të gjitha segmentet, me të gjitha vështirësitë dhe kënaqësitë që sjell ajo. Duke e njohur të vjetrën ka arritur shumë shpejtë ta absorbojë edhe të rrenë, sepse nga ajo që shkruan lë të kuptohet se e reja duhet të ndërtohet mbi shtyllat e qëndrueshme të së vjetrës. Andaj kur prezanton arkitekturën tipike shqiptare të shtëpive të asaj kohe, raportet sociologjike, botëkuptimet tradicionale, rolin e nënës në rritjen dhe edukimin e fëmijëve, kontributin e babait si kryefamiljar, mikpritjen si një rit të shenjtë të shoqërisë shqiptare, organizimin kolektiv, solidaritetin, kujdesin ndërfisnor e kështu me radhë, ai sikur na bën me dije se gjëra të vlefshme të së kaluarës i mungojnë shoqërisë sonë shqiptare të ditëve tona. Një përpjekje e tij fisnike për zbërthimin e së kaluarës është edhe gjurmimi i trungut familjar të paraqitur përmes një skeme në fund të librit.

Duke lundruar nëpër kujtesën e fortë të një jete të ngjeshur, miku ynë i moçëm Zeqir Ismaili na sjellë edhe detaje që në shikim të parë të duken si të parëndësishme, por që në thelb paraqesin të dhëna interesante për krahasimin si kategori shkencore. Numri i nxënësve në shkollën fillore të Xhepçishtit gjatë viteve të pesëdhjeta, kuadri i angazhuar në këtë institucion, pastaj të punësuarit shqiptarë në gjimnazin e Tetovës së asaj kohe, … lëndët mësimore, mbarëvajtja e procesit mësimor, … kushtet e regjistrimit në fakultet, … jeta në konvikt, dhënia e provimeve, … pjesëmarrja nëpër aktivitetet dhe manifestimet e organizuara nga shqiptarët e Beogradit, shënimi i 500 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, koncerti i Nexhmije Pagarushës në sallën e panairit të Beogradit, … protestat studentore të vitit 1968 në Beograd, … e deri te të dhënat për çmimin e veturës së tij Fiat 1300, që të gjitha paraqesin shënime shumë të rëndësishme për një vend të caktuar, për një kohë të caktuar dhe për një kontekst të caktuar shoqëroro-historik.

Në tërësinë e përshtypjeve të z. Ismailit zënë vend edhe ngjarje të tjera si: tërmeti i vitit 1960 në Tetovë, ai i Shkupit i vitit 1963, pastaj përjetimet nga shërbimi ushtarak, pjesëmarrja në ndeshjen futbollistike ndërmjet Çekosllovakisë dhe ish-Jugosllavisë në vitin 1976 në Beograd, … vizitat kolektive, shëtitjet në pyll, ekskursionet turistike dhe takimet miqësore e kolegjiale…

Në mes të tjerash, autori përshkruan edhe momentet më të rëndësishme jetësore duke evokuar për martesën e tij me zonjën Qanie, për kurorëzimin e kësaj martese me tre fëmijët e mrekullueshëm: Kujtimen, Besën dhe Bashkimin, pastaj për kënaqësinë e të qenit gjysh dhe përfshirjen e tij në vëmendjen dhe dashurinë e nipërve dhe të mbesave.

Ky libër, që nuk është i shkruar mbi parimin e emocioneve, por mbi bazën e vërtetësisë, është një biografi e shtjelluar në vetën e parë, një rrëfim i bukur për rolin e një njeriu bujar, të thjeshtë, të drejtë, punëtor, të ditur, një shembull që na tregon dhe na dëshmon se vetëm përmes seriozitetit, përkushtimit, sinqeritetit, drejtësisë dhe profesionalizmit, njeriu mund të bëjë shumë, jo vetëm për veten dhe familjen e tij, por edhe për shoqërinë në përgjithësi.

I bindur, si duket, nga thënia kineze: “Një fotografi flet sa njëmijë fjalë“,  z. Ismaili e ka pasuruar tekstin edhe me ilustrime, fotografi dhe grafikone, duke dashur që në mendjen e lexuesit të krijojë një pamje më të qëndrueshme për të gjitha ato përvoja e rrethana jetësore që e kanë shoqëruar gjatë këtyre gjashtëdhjetë e ca viteve të fundit.

Shpeshherë gjatë shfletimit të këtij dorëshkrimi m’u duk vetja sikur po bashkëudhëtoja me autorin e veprës sepse përreth njëzet vite kemi jetuar në të njëjtën ndërtesë në sheshin e Tetovës duke dhënë shembullin më të mirë të raporteve të shkëlqyera fqinjësore. Në anën tjetër, autori Ismaili dhe babai im (Idriz Ramadani) kanë qenë shokë shkolle, shokë pune dhe bashkëpjesëmarrës në procese të rëndësishme shoqërore-politike. Shumë ngjarje e ndodhi të paraqitura në libër i mbaj në kujtesë akoma të freskëta, jo vetëm si vëzhgues, por edhe si dëgjues aktiv përmes mikut të autorit, babait tim të ndjerë.

Libri “Nga kujtesa ime” i autorit Zeqir Ismaili është një “pikturë e gjallë” përplot ngjyra, përplot nuanca, përplot simbole, prapa të cilave fshihen edhe shumë enigma dhe të pathëna që zgjojnë dhe që do të zgjojnë në vazhdimësi kërshërinë e lexuesit i cili vetëm përmes një leximi të rrjedhshëm dhe të vëmendshëm do të bindet se kujtimet tona janë, në fakt, vlera më e rëndësishme, më domethënëse, pasuria më e vyer që mund t’ua lëmë në trashëgimi brezave të ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button