Emri i ri i Maqedonisë pa përkthim, i papranueshëm për shqiptarët

Propozimi i Greqisë që emri i ri i Maqedonisë të mos përkthehet nuk është i pranueshëm as për shqiptarët. Kështu deklarojnë njohësit e çështjeve politike, Selim Ibrahimi dhe Sefer Selimi, pasi gjatë takimin mes ministrit të jashtëm të Maqedonisë Nikolla Dimitrov me atë të Greqisë, Nikos Koxias, u tha se Maqedonia nuk e pranon emrin e ngjitur pa përkthim si për shembull “Gornamakedonija”, shkruan Portalb.mk.

“Sigurisht se emri pa përkthim është i papranueshëm për shqiptarët, sepse zgjidhja e problemit atëherë nuk do të ishte e ndershme për të gjithë. Aktualisht nuk e kemi parë draftin e Maqedonisë për sa i përket emrit. Përfaqësuesit shqiptarë nuk duhet të pranojnë asnjë propozim që fshin identitetin e tyre në Maqedoni. Në rast se të dyja propozimet si e palës greke dhe asaj maqedonase përmban vetëm ruajtjen e identiteteve të tyre, atëherë këtu kemi të bëjmë me shkelje të tjera të së drejtës ndërkombëtare. Përveç palës greke dhe maqedonase , pa involvim të duhur dhe profesional të palës nga shqiptarët e Maqedonisë, zgjidhja do të jetë e përgjysmuar dhe burim për zënka në të ardhmen. Në propozim e Maqedonisë duhet të merret parasysh edhe aspekti shqiptar, nëse ekipi nga qeveria dhe ministria e Jashtme e Maqedonisë përpilon dhe mbron vetëm pozicionin maqedonas dhe anashkalon pikëpamjet shqiptare për të ardhmen e Maqedonisë, atëherë do të duhej të hidhet poshtë    çdo marrëveshje në dëm të identitetit të shqiptarëve të Maqedonisë”, tha për Portalb, drejtuesi i Qendrës për Studime të Sigurisë, Selim Ibrahimi.

Ai shton se drejtuesit shqiptarë të ministrive që kanë informacione në lidhje me draftin grek ose atë të Maqedonisë do të duhej të ishin më të hapur pasi që në të kundërtën sipas tij, “lë hapësirë për kontestime të drejta dhe të mundshme të çdo propozimi që do të anashkalonte shqiptarët e Maqedonisë”.

Nga ana tjetër, Sefer Selimi nga Democracy Lab thotë për Portalb.mk se procesit për çështjen e emrit nuk i duhet edhe një element tjetër nacionalist kur, sipas tij, kemi grupe radikale nacionaliste maqedonase të cilët me çdo kusht mundohen ta sabotojnë procesin.

“Partitë shqiptare, e posaçërisht ata opozitare duhet të jenë të matura (siç kanë qenë deri më tani) në diskursin e debatit publik mbi këtë çështje dhe të tregojnë përgjegjësi politike për të ardhmen e vendit. Këtij procesi nuk i duhet edhe një element tjetër nacionalist kur kemi grupe radikale nacionaliste të maqedonase të cilët me çdo kusht mundohen ta sabotojnë procesin, të ndihmuara edhe nga palë të treta të cilët integrimin e Maqedonisë në strukturat euro-atlantike, posaçërisht në NATO, e shohin si kërcënim real mbi influencën e tyre në rajon. Prandaj, besoj që dialogu politik i drejtpërdrejtë mes partive qeverisëse dhe opozitare (përfshirë edhe ato shqiptare) për ndërtimi e konsensusit shtetërorë mbi këtë çështje do t’i kontribuonte më tepër procesit, i cili nuk do të mund të zgjidhet pa kompromise të theksuara nga të gjitha palët e prekura. Rezultatet që do të pasojnë nga negociatat e kontestit të emrit bartin në vete efekte të jashtëzakonshme për të ardhmen e vendit, si pozitive ashtu edhe negative. Rezultatet pozitive pothuajse të gjithë i dimë, ndërsa dështimi eventual i negociatave sjell shumë paqartësi të rrezikshme dhe të paparashikueshme për vendin dhe rajonin”, shtoi Selimi.

Siç shton ai, ky procesi është tejet delikat dhe kompleks dhe bartë në vete shumë përgjegjësi politike për të gjitha palët, aq më shumë kur qeveria e kaluar ndërtoi për dhjetë vite me radhë një narrativ nacionalist mbi këtë çështje dhe e përdori të njëjtën për të përfituar politikisht.

Nga ana tjetër, Sefer Selimi nga Democracy Lab thotë për Portalb.mk  se Procesi i negociatave me Greqinë për tejkalimin e dallimeve rreth emrit është tejet delikat dhe kompleks dhe bartë në vete shumë përgjegjësi politike për të gjitha palët.

“Për dallim nga qeveria e kaluar, qeveria e kryeministrit Zaev është treguar inkluziv ndaj shqiptarëve duke i përfshirë përfaqësuesit tyre në të gjitha proceset e rëndësishme për shtetin në raport me fqinjët e saj, siç ishte edhe rasti me Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Procesi i negociatave me Greqinë për tejkalimin e dallimeve rreth emrit është tejet delikat dhe kompleks dhe bartë në vete shumë përgjegjësi politike për të gjitha palët. Aq më shumë kur qeveria e kaluar ndërtoi për dhjetë vite me radhë një narrativ nacionalist mbi këtë çështje dhe e përdori të njëjtën për të përfituar politikisht”, tha për Portalb, Selimi.

Referendumi për çështjen e emrit me Greqinë, ja si do të reagojnë partitë shqiptare në Maqedoni

Ndryshe, së fundmi pas 12 viteve, një ministër i Jashtëm i Greqisë ka zbritur me aeroplanin zyrtar në Aeroportin e Shkupit. Ai pati vizita me kreun më të lartë shtetëror, por edhe me liderët e partive politike.

Sipas asaj që deklaroi ai, Greqia “është për një kompromis të ndershëm”, ndërkaq homologu i tij, Dimitrov, deklaroi se Maqedonia nuk pranon emër të ngjitur i cili nuk do të përkthehej.

Kontesti 25 vjeçar

Ndryshe, Greqia dhe Maqedonia kanë çështje të hapur për emrin që nga pavarësimi i Maqedonisë në vitin 1991. Në vitin 1995, Kombet e Bashkuara u bënë ndërmjetës në zgjidhjen e emrit duke dërguar person special si mediator. Deri më sot, ndërmjetësimi nuk ka sukses. Greqia pretendon se shteti i Maqedonisë është duke e përdorur emrin e regjionit verior grek i cili mban emrin Maqedoni, përcjellë Portalb.mk.

Çeshtja e emrit, Maqedoni - Greqi

Çeshtja e emrit, Maqedoni – Greqi, ilustrim

Megjithatë, pas ardhjes në pushtet të Zoran Zaevit, kjo çështje është riaktualizuar duke rifilluar bisedimet për kontest. Pas një takimi të kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në Davos të Zvicrës, Zaev, njoftoi se Maqedonia ka vendosur që t’i ndryshojë emrat e autostradës dhe aeroportit të cilët e mbajnë emrin e figurës së kontestuar nga pala greke – Aleksandri i Maqedonisë. Me vendim të Qeverisë, autostrada u riemërua në “Miqësia”, ndërkaq aeroporti në “Aeroporti i Shkupit”.

Greqia kërkon që Maqedonia ta ndryshojë emrin, me një emër pa përkthim, por edhe ta ndryshojë Kushtetutën, ndërkaq nga ana tjetër, Maqedonia kërkon që emrit aktual t’i shtojë mbiemër të përkthyeshëm, dhe të mos e ndërrojë Kushtetutën. Prej 5 propozimeve që u përfolën në opinionin, dy prej propozimeve më serioze për emrin e Maqedonisë janë: Maqedonia e Epërme dhe Maqedonia Veriore.

Bisedimet vazhdojnë, në nivel ministrash, me ndërmjetësim të të dërguarit special të OKB-së, Methju Nimic.

Shpresat për integrim të Maqedonisë në NATO dhe BE, janë gjithnjë më të fuqishme, duke pasur parasysh se sinjalet e Komisionit Evropian janë se Maqedonia do ta rimerr rekomandimin për fillimin e bisedimeve hyrëse për anëtarësim në BE. Kjo u vërtetua edhe me publikimin e Strategjisë së KE-së për anëtarësimin e vendeve ballkanike në BE, por edhe nga kryetari i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker, i cili në javën e fundit të shkurtit ishte për vizitë në Shkup. Edhe pse, Junker tha se nuk mund të japë datë për fillimin e bisedimeve, megjithatë, shtoi se Maqedonia është në rrugë të drejtë. Megjithatë, përveç menjanimit të kontestit për emrin me Greqinë, që të anëtarësohet në BE, Maqedonia duhet të punojë edhe në sundimin e ligjit, rritjen e ekonomisë dhe konkurrencës, zhvillimin e arsimit dhe sigurisë si dhe komunikimin digjital.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button