Ahmeti: Jemi pala që duam zgjidhje të emrit, sepse na intereson e ardhmja e shtetit tonë

 Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Kotzias, deklaroi se “pala shqiptare nuk janë pala që duan të krijojnë probleme, por janë të interesuar që të zgjidhet kontesti i emrit midis dy shteteve fqinje”, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke iu referuar propozimeve për emrin nga palët negociuese, Ahmeti theksoi se “nuk pajtohen që kompromisi që do të arrihet të përmbajë emrin Sllavo-Maqedoni apo Republika Kombëtare Maqedonase”.

“Në këtë rast ne jemi pala që duam zgjidhje. Nuk jemi pala që duam të krijojmë problemin, ne jemi pala që duam zgjidhje të problemit, sepse na intereson e ardhmja e shtetit tonë, por edhe njëherit jemi në një shtet, interesat tona janë të përbashkëta dhe askush të mos mendojë se nuk jemi pjesë aktive dhe na intereson ardhmëria dhe zgjidhja e çështjes së këtij problemi”, deklaroi Ahmeti.

Kreu i BDI-së theksoi se në takim me ministrin Kotzias kanë ndarë mendime se të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor kanë interesa të përbashkëta dhe bashkërisht të jenë pjesë e Evropës së bashkuar dhe të integruar në NATO.

“Duhet vendet tona, brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor, të kenë bashkëpunim shumë më të afërt edhe për zgjidhjen e atyre kontesteve që akoma nuk kanë gjetur zgjidhje përfundimtare, me çka unë pashë një vullnet të fortë nga ministri i jashtëm që të gjitha çështjet të tejkalohen”, tha Ahmeti.

Kotzias, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Maqedoni në kuadër të dialogut të vazhdueshëm ndërmjet dy vendeve për zgjidhjen e kontestit të emrit, realizoi takime të ndara edhe me homologun e tij maqedonas, Nikolla Dimitrov, kryeministrin Zoran Zaev, kryeparlamentarin Talat Xhaferi, zv/kryeministrin për çështje evropiane Bujar Osmani, si dhe me kreun e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.

Shefi i diplomacisë greke me avionin qeveritar dje mbërriti në aeroportin e Shkupit, në vizitën e tij të parë pas riemërimit në Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, si një nga hapat e qeverisë së Maqedonisë në procesin e negociatave për emrin.

Kjo është hera e parë pas 12 viteve që një avion grek të ulet në aeroportin e Shkupit dhe njëkohësisht Kotzias është shefi i parë i diplomacisë greke që viziton Shkupin pas një pause 12 vjeçare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button