Në NATO, kur egoja e politikanëve do të jetë nën interesin shtetërorë

Samiti i NATO-s që zhvillohet gjatë këtyre dy ditëve në një nga qytetet më të mëdha të Amerikës, Çikago, është një samit i rregullt i shteteve anëtare që përbëjnë atë, një rutinë diplomatike dhe një moment reflektimi se ç ’është bërë dhe çfarë duhet të bëhet më tej. Një mbledhje kryesore e anëtarëve të saj që çdo vit mbahet në qytete të ndryshme të vendeve anëtare, tek ato te vjetrat apo anëtaret e reja. Një grumbull diplomatësh diskutojnë për ardhmërinë e botës, të cilën atë e drejtojnë, edhe atje ku shtetet nuk janë anëtare.

Pyetja kryesore që të vjen ndër mend çdo samit është ajo e natyrshmja, ku jemi ne në këtë fotografi, një shtet i vogël, me një ushtri të vogël dhe gjysmë të armatosur, gjysmë të reformuar, dhe me shumë probleme brenda dhe jashtë shtetit.

NATO kjo aleancë jo vetëm ushtarake, nuk mbron vetëm shtetet nga ndonjë sulm që mund të vijë nga vende të treta, por mban gjallë paqen, tregtinë, të drejtat e njeriut, ndikon drejtpërdrejt në ekonomitë e vendeve anëtare, si siguria më e madhe e bizneseve, prodhon demokraci, gjëra këto më se të nevojshme për një shtet të vogël dhe të varfër siç jemi ne, dhe që na mungojnë aq shumë, për të pasur një jetë me dinjitet.

Edhe ky samit nuk do të sjellë asgjë të re për Maqedoninë, anëtarësimi i saj nuk varet nga mbajtja apo mos mbajtja e samiteve, ky është qëndrimi i ekspertëve, i diplomatëve, i miqve ndërkombëtarë, i të gjithë atyre që njohin mirë proceset integruese dhe metodologjinë e pranimit në aleancë.

Edhe përskaj kërkesës dhe dëshirës së madhe për tu anëtarësuar që kanë shumica dërmuese e qytetarëve të vendit, anëtarësimi akoma vazhdon të jetë një ëndërr e parealizuar. E parealizuar nga një kontekst për emrin e vendit që për dy dekada është një ‘mision i pamundur’ i diplomacive të Maqedonisë dhe Greqisë, një pamundësi për të tejkaluar vetveten, për të tejkaluar frikën nga humbja jo gjithmonë e identitetit, por gati gjithmonë e karrierës politike të disa politikave që janë optimistë të tepruar. Të tepruar për atë çfarë janë dhe për atë se ç ’janë duke bërë, dhe çfarë mund të bëjnë.Kjo ego e politikanëve për dy dekada ka lënë në injorim 2 milion banorë të këtij vendi të vogël jo-stabil në qendër të Ballkanit.

Greqia nuk lëshon pe edhe më tej, u rrëzuan të gjitha tezat e partisë në pushtet VMRO-DPMNE se kriza do të gjunjëzoj Greqinë dhe to ta detyrojë atë që të pranoj kompromisin.

Analistët kanë përsëritur shumë herë dhe kanë paralajmëruar qeverinë se kjo politikë është e gabuar. Kohë më parë  njeriu i dytë i Këshillit euroatlantik në Maqedoni, Ismet Ramadani deklaroi se Maqedonia nuk mund të pret anëtarësim në Samitin e Çikagos. Sipas tij fajtor kryesor për këtë gjendje është qeveria e kryeministrit Gruevski e cila nuk e ka kuptuar ose është bërë se nuk e ka kuptuar se pa arritjen e një kompromisi me Greqinë për çështjen e emrit, nuk ka rrugë tjetër që mund të anëtarësoj Maqedoninë në NATO, thotë për Portalb, nënkryetari i Këshillit euroatlantik në Maqedoni, Ismet Ramadani. 

‘Të  gjitha përkrahjet e administratës amerikane, të shteteve të NATO-s  të gjendet një kompromis janë keqkuptuar dhe interpretuar  në  forma si ka dashur qeveria respektivisht kryeministri . Prognozat janë më se reale se në Çikago nuk do të ndodh marrja e ftesës ose anëtarësimi i Maqedonisë, por do të ndodh një porosi shumë e qartë se Maqedonia dhe Greqia duhet të zgjedhin problemin e emrit përndryshe anëtarësim në NATO nuk ka , kjo do të ndikoj në disponimin e qytetarëve  dhe do te fillon një presion publik dhe medial ndaj qeverisë se nuk gjeti formë  dhe mënyrë që Maqedoninë ta anëtarësoj në NATO’, thotë Ramadani.

Edhe për ish ambasadorin e Maqedonisë në NATO, Nano Ruzhin nuk ka pritje se  Maqedonia mund të anëtarësohet në NATO në Samitin e Çikagos për shkak të çështjes së hapur me Greqinë për emrin, që është shumë mirë e njohur, ajo që duhet theksuar sipas është se qeveria vazhdimisht thekson dhe përsëritë se Maqedonia deri tani ka kryer të gjitha obligimet dhe se është Greqia e vetmja barrikadë deri në NATO.

‘Por esenca është shumë e qartë, po Maqedonia ka bërë shumë, në NATO janë pranuar shtete edhe me cilësi dhe kapacitete shumë më të vogla, por për fat të keq për shkak të votimit konsensual, është e qartë se Maqedonia nuk mund të marrë ftesë pa arritur këtë kompromis, dhe ky është kushti  i vetëm’.

‘Qeveria sillet sikur koha punon në favor të Maqedonisë, por nuk është kështu. Që nga përfundimi i Samitit të NATO-s në Bukuresht, dhe pas asaj thirrje publike të presidentit amerikan Xhorxh Bush që të gjendet zgjidhje deri sa është në mandat, qeveria kuptoi rrezikun politik që i kanosej pas pranimit të një kompromisi, dhe nderoi komplet politikën e saj duke e paraqitur në publik idenë se nuk na duhet as NATO dhe as BE, nëse ndërrohet emri, madje shkoi deri aty që lidhi këtë çështje me identitetin e kombit’ thotë ish ambasadori Ruzhin.

Se zgjidhja e kontestit për emrin mbetet kusht për anëtarësim në NATO, ka ripërsëritur edhe sekretari gjeneral i Aleancës Anders Fog Rasmusen.

 “Në vitin 2008 u vendos se vendi është i përgatitur që të fillojnë negociatat e anëtarësimit, por me kusht që Greqia dhe Maqedonia të vijnë deri të një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët për problemin me emrin. Për fat të keq, nuk është regjistruar përparim në atë drejtim, kështu që vendimi të cilën e morrëm para katër viteve mbetet valid”, u shpreh sekretari gjeneral i NATO-s, Anders Fogh Rasmusen.

Edhe përkrahësit më të mëdhenj të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, SHBA-të nuk kanë fije optimizmi. Ndihmës Sekretari shtetëror Philip Gordon, para Senatit amerikan deklaroi se në Samitin e NATO-s në Çikago nuk do të sillet vendim për pranimin e shteteve të reja.

“Në samitin në Çikago do të dërgojmë një mesazh të qartë se NATO vazhdon të jetë e hapur për të gjitha shtetet demokrate të Evropës të cilat janë të gatshme  dhe të afta për t’i ndërmarrë të gjitha obligimet në lidhje me anëtarësimin. Sa i përket Maqedonisë konkretisht, ajo i plotëson kriteret kyçe për anëtarësim në NATO. SHBA-të vazhdojnë të jenë të kyçura dhe ta ndjekin procesin e bisedimeve për tejkalimin e kontestit për emrin, i cili udhëhiqet nga z. Metthew Niemitz. Arritja e një marrëveshjeje mes Greqisë dhe Maqedonisë do të mundësojë plotësimin e ftesës ndaj Maqedoninë për anëtarësim në NATO”, deklaroi Gordon.

Greqia pak ditë para fillimit të Samitit morri qëndrim edhe më të ashpër, përmes një deklarata të arritur nga të gjitha partitë politike. Vendimi i përbashkët është që sërish  t’i vendosë veto Maqedonisë në anëtarësimin e saj në NATO. 

Ndryshe nga Samiti i Bukureshtit ku ata bllokuan Maqedoninë në mënyrë implicite, këtë herë janë bërë publike qëndrimet e presidentit Karlos Papulias pas takimit me udhëheqësit e partive politike greke ku janë pajtuar që Greqia të vendos veto për pranimin e Maqedonisë në NATO në Samitin e Çikagos. 

“Pranimi i Maqedonisë nuk është në agjendën e Samitit, por nëse bëhet ndonjë përpjekje që kjo çështje të vendoset në rend dite, atëherë përfaqësuesit grekë duhet të vendosin veto” kanë kërkuar liderët grekë në këtë takim.

Në këto rrethana, dhe me këto qëndrime diametralisht të kundërta mes Shkupit dhe Athinës, anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, ngelet më shumë se një ëndërr. Edhe një kohë shumë më të gjatë nuk paralajmërohet ndryshim apo fleksibilitet në arritjen e një marrëveshjeje, dhe do të kënaqemi vetëm me spotet qeveritare që na tregojnë se sa mirë jetojmë, dhe se sa e bukur është Maqedonia, ndërkaq sigurisht biznesi me Kinën dhe Ukrainën është në ‘lulëzim’ e sipër. / Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button