Kohë për mbylljen e kapitullit të diktaturës tridhjetëvjeçare “demokratike”

Nëse dëshiron të ekzistojë, Maqedonia duhet të bëhet pjesë e Bashkësisë Evropiane dhe NATO-s, shtet mirëfilli demokratik ku mbisundon ligji dhe barazia e plotë ndërmjet qytetarëve dhe etnive të ndryshme, veçmas ndërmjet shqiptarëve dhe maqedonasve… Gjithë kalkulimet tjera dhe andrrallat e gjimnastikave hegjemoniste mbi tjetrin janë udhë pa krye, që shpiejnë drejt humbjes së pakthyeshme të mirëbesimit ndërmjet njerëzish dhe bashkësishë, drejt ashpërsimit të raporteve ndëretnike dhe drejt konflikteve, që mund të gjenerojnë tragjedi të rënda dhe të pariparueshme me marrëveshjet që do t’i imponojnë post festum ata që ndajnë territoret e të vegjëlve me vizore.

E shkuara është e njohur për të gjithë, ashtu si recidivat e saj, që vazhdojnë të rrezikojnë të tashmen dhe të ardhmen e të gjithëve pa asnjë përjashtim. Nëse ka mbetur diçka ku lidhin akoma shpresat një pjesë e njerëzve të këtij vendi, ai është besimi në qeverinë e z. Zaev, e cila ndoshta ka edhe pak kohë të vë nën kontroll presidentin mendjegëzuar, që pandeh se mund ta bëjë zap gjuhën e lashtë dhe të bukur shqipe; prokurorët dhe gjyqtarët, që për shqiptarët vazhdojnë të ndajnë drejtësinë e arrushës; inspektorët që kanë montuar raste krimesh të pabëra dhe kanë dekompozuar burgjeve jetëra njerëzish krejtësisht të pafajshëm; mediet që mbjellin intolerancë dhe racizëm; “gazetarët” dhe “opinionistët” që fyejnë pareshtur shqiptarët; “akademikët” dhe “profesorët” që inspirojnë dhunën në mese gjynahësh dhe të painformuarish; turmat arrogante ulërritëse, që kërkojnë me ngulm shqiptarin e vdekur dhe gjithë të përhënurit që duan ta shpiejnë vendin në stepat ruse a në shkretëtirat aziatike, tok me pjesën time, tënden, tonën.

Ngjarja e fundit që luhati besimin në këtë qeveri është konvertimi i aktit të vrasjes së Engjëllit katërvjeçar Almir Aliut nga Kumanova në aksident të rëndomtë komunikacioni dhe lirimi, pas 15 vitesh kalbjeje për së gjalli idrizovave e shutkave i të akuzuarve në rastin e montuar të Sopotit.

Qeveria aktuale e ka mundësinë t’i japë fund diktaturës “demokratike” tridhjetëvjeçare. Asaj i bie hise ta çlirojë vendin nga padrejtësitë institucionale dhe nga kriminelët, kuashdoqofshin ata. Dhe këtë duhet ta bëjë përnjëmend dhe menjëherë, jo me premtime boshe dhe kur të bëjë dushku dardha. Hap i parë duhet të jetë largimi i menjëhershëm i kryeprokurorit Jovevski dhe gjyqtarëve të pandërgjegjshëm, që ia dhuruan lirinë vrasësit, i cili, akoma pa kapërcyer pragun e burgut, pa pët syri, madje para kamerave, paralajmëroi krimin e ri!

Hapat tjerë, që gjithashtu nuk durojnë prolongime të pakuptimshme lidhen me lirimin e viktimave të pafajshme që vazhdojnë të plaken zëndaneve mesjetare për shkak të rasteve të montuara si: Brodeci, Monstra, Kumanova…

Kuptohet, lirimi i tyre duhet të shoqërohet me dënimin meritor të sajuesve të këtyre rasteve, sepse vetem pas kësaj Maqedonia mund të jetë shtet i qytetarëve dhe etnive të barabarta, ku secili do të ndihet zot në shtëpinë dhe trollin e të parëve, ku askush nuk do të ketë më të drejtë të përcaktojë me doza të kërmillta rritën e tjetrit, ku nuk do të ketë më padronë dhe robër, po qytetarë të lirë evropianë që e dinë se liria e tyre nuk fillon aty ku mbaron liria e tjetrit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button