Në ambient antik dhe atmosferë miqësore, “Klub Poetica” shënoi Ditën Ndërkombëtare të poezisë

“Klub Poetica” – Gostivar, ishte vendi që tuboi poetët shqiptarë nga Maqedonia për të shënuar 21 Marsin – Ditën ndërkombëtare të poezisë. Poeti Lulzim Haziri dhe fotografi artistik Osman Demiri,  ishin iniciatorët për mbajtjen e një mbrëmjeje poetike, në të cilën në një atmosferë të ngrohtë miqësore, poetët e njohur shqiptarë nga Gostivari dhe vende të tjera të Maqedonisë recituan nga disa poezi të vetat, përcjell Portalb.mk.

Punëtorije Muça Ziba, Lindita Ahmeti, Salajdin Saliu, Shazim Mehmeti, Bardhyl Zaimi ishin disa nga emrat e njohur të poezisë shqipe që u prezantuan në këtë mbrëmje, por nuk munguan edhe shumë poetë tjerë të gjeneratave më të reja.

“Duke njohur shtrirjen kulturo të Gostivarit, pse të mos e formonin një klub të këtillë, aq më tepër kur kemi një hapësirë kaq të përshtatshme poetike. Ftuam poetët, mbi të gjitha miq tanë dhe arritëm që t’i tubojmë në një vend f]dhe të hapim një shteg që këtë klub ta mbajmë aktiv, të kemi aktivitete të vazhdueshme, e pse jo në të ardhmen të përgatisim edhe plan vjetor”, thotë Lulzim Haziri.

Ndërkaq drejtuesi i Galerisë Kult, Osman Demiri thotë se ideja ka ardhur nga fakti që Gostivari ka shumë poet, por se u ka munguar hapësira për të promovuar fjalën e bukur.

“Mendoj se tashmë Galeria Kult u përmbush më tepër me hapjen e edhe të klubit poetik. Do të jetë ky klub vendi ku do të tubohen poetët, ndoshta jo për tu proovuar, por për të kaluar një mbrëmje të këndshme, gjegjësisht siç themi na, pa teklif”, shprehet Demiri.

Klub Poetica do të funksionojë në kuadër të Galerisë Kult. Me mobile antike, me sende të vjetra me vlerë artistike dhe kombëtare, të gjitha këto të kombinuara me shije, Klubi Poetica paraqet një ambient shumë të përshtatshëm për organizimin e eventeve kulturore për një publik të vogël, por me gusto artisti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button