Kosovë, Ratifikohet Demarkacioni

Me 80 vota për, 11 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, transmeton REL.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi u zhvillua nën tensione e masa të shtuara të sigurisë.

Hedhja e gazit lotsjellës dhe ndërprerja e seancës në katër rastet kur është provuar të votohet për ratifikimin e demarkacionit, ka sjellë si rezultat largimin e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje nga salla e Kuvendit nga Policia e Kosovës. Sidoqoftë, vetëm pesë prej tyre u është ndaluar pjesëmarrja në vazhdimin e seancës, kurse të tjerët janë lejuar të kthehen në sallë.

Pesë nga deputetët e Vetëvendosjes, Liburn Aliu, Salih Zyba, Xhelal Sveçla, Fitore Pacolli – Dalipi dhe Drita Millaku janë shoqëruar në polici për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës.

​Ndërkohë, Policia e Kosovës më anë të një komunikate ka njoftuar mediat se është detyruar të shoqëroj në stacionin policor edhe një deputet tjetër për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës si dhe një tjetër për posedim të gazit lotsjellës.

Policia po ashtu ka njoftuar se përderisa janë zhvilluar aktivitete brenda në Kuvendin e Kosovës, diku rreth orës 17:10 disa persona dyshohet se kanë hedhur gurë në drejtim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ku si pasojë janë thyer dy xhama të objektit të Kuvendit të RKS-së.

Lidhur me ketë rast policia ka ndaluar tre persona të dyshuar të cilët i kanë shoqëruar në stacion policor për procedura të mëtejme.

Lëvizja Vetëvendosje, përmes hedhjes së gazit lotsjellës po përpiqet që ta pamundësojë votimin për ratifikimin e demarkacionit.

Zhvillimet në Kuvend, po i përcjell nga afër edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie. Ai tha se është i zhgënjyer me veprimet që po përdorë një parti politike për të penguar punën e Kuvendit.

“Jam i zhgënjyer që një parti politike po e përdorë dhunën për ta penguar demokracinë. Shpresoj që deputetët do të kthehen në Kuvend dhe të votojnë ratifikimin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Do të doja që aty ta shoh edhe Listën Serbe të votoj”, tha Delawie.

Kosova ka nevojë për përparime, theksoi ai.

Ndërprerja e seancës me anë të gazit lotsjellës është dënuar nga pjesa tjetër e spektrit politik që përfaqësohet në Kuvend.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button