Shqipëri, gara për presidentin, në prag

Mandati i Bamir Topit si president republike përfundon më 24 korrik. Pritet mbledhja e konferencës së krerevë të grupeve parlamentare jaqvën që vjen për të zyrtarizuar nisjen më 24 maj të procedurës për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, 2 muaj para përfundimit të mandatit të presidentit në detyrë, siç e parashikon Kushtetuta e vendit.

Në nenin 87 të saj thuhet se kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh dhe për zgjedhjen e kreut të shtetit, zhvillohen deri në pesë votime.

Votimet bëhen një herë në 7 ditë, cka do të thotë që votimi i fundit për president, në rast se ato pararendëse dështojnë pritet të jetë më datën 28 qershor.

Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat, ndërsa parashikohet përfshirja në garë e kandidatëve të rinj në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt.

Për herë të parë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë provojnë ndryshimet Kushtetuese të 2008-ës, kur në dy votimet e fundit kanë mundësi që të zgjedhin një kryetar shteti edhe me shumicë të thjeshtë votash, nëse në tre votimet e para dështo zgjedhja e e tij me të paktën 84 vota.

Votimi i pestë dhe i fundit zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar të paktën 71 votat e kërkuara që njihen dhe si shumica e thjeshtë e 140 deputetëve.
Ky votim zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt.

Por Kushtetuta parashikon dhe rastin kur nga votimi katërt ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash. Të drejtë për të hyrë në garë e ka kandidati që caktohet me short.

Ligjvënësi ka parashikuar edhe rastin kur pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat në konkurrim dhe në mënyrë që vendi të mos shkojë në zgjedhje të parakohshme, sërish hapet mundësia për përfshirjen në garë të kandidatëve të rinj.

Kur këtë mundësi e shfrytëzojnë dhe e realizojnë më shumë se dy kandidatë, ky votim i fundit zhvillohet midis atyre që kanë më shumë deputetë firmëtarë.

Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja kur edhe pas këtij votimi asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas dështimit të votimit të katërt nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re.

Zgjedhjet e reja parlamentare zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij dhe Kuvendi i ri e zgjedh Presidentin e Republikës që në fillim me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij.” /botasot

Lajme të ngjashme

Back to top button