Almiri dhe sovranët

Një fëmijë me buzëqeshje të paqtë dhe me sy si yjtë e qiellës. Është katërvjeçar dhe quhet Almir.  Ndërsa i shikoj sytë e tij, në fotografinë që ta lëndon shpirtin, më kujtohen vargjet e poezisë “Fëmijët vështrojnë në sy” nga Gabriel Celaya: “Të mendojmë për fëmijën / që qëndron përpara nesh – / thellë syve ka një pyetje e një pritje / ndërsa qesh” (përktheu Aurel Plasari).

Ndiej se shpirti i pastër i Almirit pret diçka jo më për vete, por për të gjithë fëmijët tjerë të kësaj bote mizore, ku lëviz lirshëm vrasësi i tij i pandëshkuar.

Ndërgjegjja jonë nuk mund të ketë paqe përderisa mizorët, që presin çastin të dhunojnë, shpërblehen nga sistemi i “drejtësisë”, që tenton ta fsheh krimin që nuk mund të fshehet.

Me këtë logjikë, ky sistem “drejtësie”, do t’i shpallte të pafajshëm edhe vrasësit që shkelnin me kamionë njerëz të pafajshëm, kurse krimin do ta klasifikonte si aksident trafiku.

Me këtë sistem “drejtësie” kriminelët janë të sigurt, janë indiferentë, të shurdhër ndaj klithmës së atyre që vuajnë.  Ata janë të pushtetshëm. Janë mbi ligjin. Mbrohen nga ata që e vrasin drejtësinë.

Thuhet se ekzistojnë ligjet, por ekzistojnë edhe sovranët.

Aty ku ligjin e bëjnë sovranët e nëntokës, duhet të shqetësohesh nëse nuk ke bërë asnjë shkelje të ligjit.

Aty shpallet i pafajshëm krimineli dhe dënohet viktima.

Ne kemi sovranë nëntoke, që ndajnë padrejtësi dhe i mbrojnë kriminelët…

Almirin katërvjeçar e vranë shumë mizorë, kurse ky krim nuk i trazoi vetëm të verbuarit nga urrejtja, që nuk duan t’ia dinë se Almiri ishte fëmijë, para se të ishte shqiptar.

Sistemi i “drejtësisë” në Maqedoni është i korruptuar dhe i pashpirt, prandaj janë stërmbushur burgjet me njerëz të pafajshëm.

Të burgosurit, pas shumë vuajtjesh, lirohen pa mbajtur askush përgjegjësi për vitet e jetës që atyre ua hëngri burgu.

Assesi nuk duhet ta kolektivizojmë fajin. Kolektivizimi i fajit prodhon urrejtje ndaj të gjithëve, pa dallim. Edhe ndaj atyre që e kanë dënuar krimin.

Duhet të merremi me fajtorët dhe mbrojtësit e tyre. Duhet të fokusohemi te sistemi i kalbur i drejtësisë, që e kalb shoqërinë dhe shtetin.

Reagimi kundër këtij sistemi të degjeneruar është akt qytetarie. Është shkallë e lartë e përgjegjësisë njerëzore e shoqërore. Është angazhim që të mos përsëriten raste të ngjashme. Është përpjekje për të jetuar në një botë tjetër, më të bukur dhe më të mirë.

Sytë e bukur të Almirit i flasin ndërgjegjes sonë. Dhe teksa e shikoj fotografinë e këtij engjëlli sërish më kujtohen vargje nga e njëjta poezi: “Dhe pushtohem dashurie / dhe e ndiej për detyrë / t’u krijoj një botë tjetër/ më të bukur, më të mirë”.

Almiri nuk jetoi në një botë të bukur dhe të mirë.

Detyra jonë është të ngulmojmë që fëmijëve t’ua sigurojmë një botë ndryshe nga kjo botë mizore, ku vrasësit lëvizin lirshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button