Limaj: Me mua u bë “luftë shtrigash”, krenar që isha pjesë e UÇK

Fatmir Limaj, nënkryetari i Partisë Demokratike, i cili pas një sërë seancash gjyqësore të cilat e akuzonin për krime lufte gjatë luftës në Kosovë si ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, jep mendimin e tij për këtë proces. Ai ka thënë se është bërë një “luftë shtrigash” me qëllim të fitimit të pozicioneve politike.

Në një emision për RTK Limaj u shpreh se , “Nuk kam çfarë të flasë për akuzat që më janë bërë për krime lufte, sepse ka folur drejtësia. E kam thënë që lufta çlirimtare ka qenë e pastër dhe jam krenar që isha pjesë e saj. E dyta, sa i përket akuzave për korrupsion, kam thënë se nuk është keqpërdorur asnjë cent, dhe tashmë ka kaluar afati ligjor dhe drejtësia nuk ka gjetur asnjë shkelje”.

Në këtë linjë ai ka shtuar se drejtësia ka fituar në Kosovë, edhe pse është përpjekur t’i bëhet një gjykim publik me bastisjen spektakolare të policisë, me nxjerrjen e thashethemeve për 30, 50 e deri në 80 milionë euro gjoja të keqpërdoruara si Ministër i Transportit.

Siç raporton noa.al, ai ka theksuar më tej se Qeveria ka pësuar ngecje dhe rënie të intensitetit të punës, prej afro një viti e gjysmë, ndërsa e ka cilësuar të tepërt pasjen e 5 zëvendës kryeministrave.

Deputeti i PDK-së ka thënë se, Kryeministri Hashim Thaçi ka zgjedhur një koalicion të brishtë që e ka të vështirë të ecë me hapa të shpejtë.

“Sa i përket bisedimeve me Beogradin, them se deri tani Serbia ka fituar statusin e kandidatit, ndërsa Kosova ka fituar premtime. Unë vlerësoj se për të zhvilluar bisedime me Serbinë, duhet kushtëzuar Bashkimi Europian. Pra që Kosova të bisedojë me Serbinë, Bashkimi Europian duhet të kërkojë nga Serbia të shuajë strukturat e saj paralele në veri të Kosovës, të ndalë provokimet dhe të implementojë marrëveshjet e arritura deri tani”, është shprehur ndër të tjera Limaj. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button