Rama: Shqipëria e meriton hapjen e negociatave me BE-në

Në Bruksel është mbajtur takimi i grupit “Miqtë e Shqipërisë” në Parlamentin Evropian, me pjesëmarrjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë të Bashkimit Evropian (BE), Federica Mogherini, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Rama në fjalën e tij theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian, me të gjitha përparësitë kyçe përbën një instrument unik që sipas tij nuk ka asnjë alternativë. Ai shtoi se Shqipëria meriton hapjen e negociatave për integrimin në Bashkimin Evropian.

“Ne mendojmë se meritojmë plotësisht çeljen e bisedimeve për anëtarësim. Jam i sigurt që për shumë nga njerëzit në këtë sallë, që e njohin historinë tonë dhe të gjitha përpjekjet që janë bërë nga vendi në vitet e kaluara, nuk është e vështirë të kuptohet se pse është kaq me rëndësi që të hyjmë në këtë fazë të re. Shqipëria nuk po kërkon ndonjë dhuratë. Nuk po kërkon asnjë lloj favori që nuk e meriton. Po kërkojmë thjesht çeljen e negociatave, sepse e meritojmë”, tha Rama, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë së Shqipërisë.

Sipas kryeministrit të Shqipërisë Evropa “është një fe në rajonin tonë, që mbledh e bën bashkë gjithkënd, pavarësisht etnisë dhe besimit të tij fetar”.

“Duke mbështetur përherë integrimin e çdo vendi e duke mirëpritur edhe procesin e negociatave që po ecën me Serbinë dhe Malin e Zi, do doja të bëja një koment që në raport me Strategjinë për Zgjerimin të Komisionit, Serbia dhe Mali i Zi presupozohet që të nisin me një plan veprimi, i cili do të trajtojë reformën në drejtësi, çka nënkupton që ata duhet të ndjekin modelin shqiptar dhe ata po negociojnë, ndërkohë që ne nuk e kemi nisur akoma procesin e negocimit”, theksoi më tej kryeministri i Shqipërisë.

Rama gjatë qëndrimit në Bruksel u takua me përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Federica Mogherini dhe komisionerin Evropian për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button