fbpx

Thirrje masive për përkrahje të protestës për Almir Aliun

(E përditësuar sepse shtohen thirrjet)

Kryetarë komunash, partia në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim, opozitaret shqiptare Lëvizja BESA dhe Aleanca për Shqiptarët si dhe institucione të tjera dhe shoqata studentësh e nxënësish kanë dalë në mbështetje të protestës së nesërme për rikualifikimin e lëndës së Almir Aliut që do të mbahet para Qeverisë së Maqedonisë me fillim prej orës 13:00, njofton Portalb.mk.

Për protestën në fjalë thirrje ka bërë kryetarja e Komunës së Haraçinës, Milikije Halimi e cila njëkohësisht ka njoftuar se ka organizuar dy autobus për bartjen e qytetarëve nga Haraçina deri para objektit të Qeverisë së Maqedonisë.

“Njoftojmë të gjithë qytetarët e Komunës së Haraçinës, se kryetarja Milikije Halimi bën thirrje që me datën 21.03.2018 t’i bashkëngjitkemi protestës para Qeverisë së Maqedonisë në Shkup për rastin e Almirit. Të gjithë ata që kanë dëshirë t’i bashkohen kësaj protestë të mërkurën në ora 11:30 të vinë afër Komunës ku do të bëhet nisja me dy autobusë. Mos të lejojmë që vrasësit e Almirit të shëtisin lirshëm. Mos të lejojmë pa u dënuar vrasja e Almirit të vogël, bashkohu edhe ti për Almirin”, thuhet në thirrjen e kryetares së Komunës së Haraçinës.

Thirrje për mbështetje të protestës ka bërë edhe kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari sot në protesën para Komunës së Gostivarit.

“Ju ftoj që të merrni pjesë në protestën e nesërme për Almir Aliun. Nesër edhe unë do të jem në Shkup”, tha Taravari.

Image may contain: 1 person, smiling, textMe “Duam drejtësi”, përkrahje për protestën ka kërkuar edhe kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu.

“Ngrite zërin tënd, duam drejtësi”, ka shkruar në faqen e fejsbukit në ora 14:55, Sejdiu duke bashkëngjitur edhe një fotografi.

LEXO: Joveski: U tregova prindërve të Almirit se nuk ka kurrfarë prapavije në rikualifikimin e veprës

Krahas kryetarëve të komunave, protestën e nesërme e përkrahin edhe partitë politike shqiptare siç është rasti me Bashkimin Demokratik për Integrim.

“Është protestë qytetare, dhe normalisht edhe unë si qytetar do ta përkrah dhe do të marrë pjesë. Por edhe BDI e përkrah aktin e shprehjes së revoltës për rikualifikimin e rastit të Almir Aliut”, tha për Portalb.mk, deputeti Artan Grubi.

Mbështetje të protestës së nesërme kanë bërë edhe nga Aleanca për Shqiptarët, për siç thonë ata, me qëllimin e ndërrimit të sistemit gjyqësor ku shqiptarët bëhen objekt të manipulimeve.

“Ne e përkrahim çdo protestë për proceset e montuara gjyqësore në Maqedoni dhe kundër mesazheve që i jep pushteti dhe gjyqësori, se lirisht mund të vriten shqiptarët për t’u rregulluar puna në gjyqësor dhe të mos ketë dënime drakonike. Jemi në përkrahje të çdo iniciative, qoftë qytetare, qoftë të partive politike që i shndërron shqiptarët në objekt të manipulimeve gjyqësore”, tha për Portalb.mk, Elmi Aziri nga ASH-ja.

Thirrje për përkrahje të protestës kanë bërë edhe nga partia Lëvizja BESA.

“Sidoqoftë, Lëvizja BESA – ashtu siç e ka ngritur zërin çdoherë kundër ndaj çdo padrejtësie – edhe kësaj radhe do të jetë gardiane e ngritjes së zërit shqiptar në Maqedoni, duke e mbështetur protestën për rastin e Almirit të vogël, e cila është paraparë të mbahet nesër (e mërkurë – 21 mars) në Shkup”, thanë nga BESA me kryetar Afrim Gashi.

“Lëvizja Besa përkrah protestën e paralajmëruar për më 21 mars (të mërkurën) përmes të cilës kërkohet drejtësi për Almirin e vogël i cili u vra pa mëshirë nga një monstrum të cilin gjykata e liroj nga burgu. Rasti i Almirit është një nga rastet më skandaloze të një gjyqësie të pa reformuar dhe me mbetje nga ish sistemi komunist, prandaj ne i ftojmë të gjithë qytetarët pavarsisht bindjes politike, etnike apo fetare të dalin masovikisht në këtë proteste dhe të kërkojme që drejtësia të kthehet në vend që shpirti i Almirit të vogël të prehet në paqe”, thanë nga BESA me kryetar Bilall Kasamin.

LEXO: Në kohën kur priten reforma, rasti i Almirit e thellon mosbesueshmërinë e qytetarëve ndaj gjyqësorit

Edhe Qendra për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional (QMBI) duke mbështetur lirimin e të akuzuarve të rastit “Sopoti” ka bërë thirrje për bashkëngjitje të zërave për dorëheqje të kryeprokurorit, Lubomir Joveski.

“QMBI dënon vendimin e Prokurorisë Publike për të rikualifikuar lëndën në rastin e vrasjes së Almirit të vogël, nga “vrasje” në “aksident komunikacioni me pasojë vdekjen”, duke e vlerësuar këtë si një veprim tendencioz dhe të paprecedentë. Me këtë rast, QMBI u bashkëngjitet zërave për dorëheqje të kryeprokurorit Jovevski dhe prokurores së lëndës, Kusingerska, ndërsa i jep mbështetje të parezervë protestës së paralajmëruar për nesër, 21 mars, nga Iniciativa qytetare “Drejtësi për Almirin”, para Qeverisë së RM-së, kundër rikualifikimit të lëndës në fjalë”, thuhet në thirrjen e QMBI-së.

Thirrje për bashkëngjitje në protestë ka bërë edhe kryetari i Forumit Rinor Shqiptar, Ariton Rama i cili vendimin për rikualifikimin e rastit të Almir Aliut e sheh si manifestim të drejtësisë selektive nga gjyqësori dhe prokuroria.

“Duke shfrytëzuar predispozitat që m’i mundëson statuti i FRSH-së ,ftoj të gjithë anëtarët e FRSH-së dhe gjithë shqiptarët në përgjithësi  të dalim dhe të protestojmë për gjakun e Almirit. Manifestimi i drejtësisë selektive nga sistemi gjyqësor dhe të prokurorisë po cenon shtyllat esenciale të funksionalitetit institucional dhe shtetëror në vendin tonë, duke thyer çdo parim të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë të frymës juridike (të së drejtës) në Republikës së Maqedonisë, ka shkruar ndër të tjerash, Rama.

Protestën e përkrahin edhe nga Unioni Studentor Shqiptar.

“Unioni Studentor Shqiptar përkrah protestën dhe njëkohësisht fton të gjithë studentët të marrin pjesë në të që njëzëri të tregojmë se jemi me Almirin”, janë shprehur nga USSH-ja.

Përndryshe, më 21 mars, e mërkurë, me fillim prej ora 13:00, përpara Qeverisë së Maqedonisë të organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale, me moton “Pranverë pa drejtësi” do të protestohet p;r rikualifikimin e lëndës së Almir Aliut.

Ndryshe më 15 mars, Gjykata Themelore e Kumanovës e ka pranuar propozimin e Prokurorisë dhe e ka rikualifikuar lëndën. Sipas akuzës, vrasësi i Almirit, Boban Iliq, tani do të ndiqet për aksident dhe jo për vrasje, gjë e cila revoltoi qytetarët të cilët kanë dalë disa herë në protesta.

Sipas prokurores përgjegjëse, Suzana Kusigerska rikualifikimi është bërë sepse në fillim kur është ngritur aktakuza, dëshmitë nga ekspertiza ligjore janë vonuar duke thënë gjithashtu se i akuzuari Boban Iliq ka kryer veprën penale në aksident trafiku duke rrezikuar sigurinë e këmbësorëve në gjendje të afektit emocional, apo pa paramendim. Pas mbarimit të seancës, vëllai i Bobanit, Bojan Iliq, ua ka treguar gishtin e mesëm familjarëve të Almirit.

Ndaj Boban Iliq nuk është caktuar asnjëra nga masat e rreptësisë dhe është lënë në liri, i cili pasi doli nga Burgu i Shutkës, kërcënoi gazetarin e TV21 dhe  ledhatoi Mercedesin, me të cilin e kishte kryer aktin e vrasjes.

https://portalb.mk/512253-rikualifikimi-i-lendes-per-rastin-e-almirit-te-merkuren-mbahen-proteste/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button