Qeveria: Ueb-faqja zyrtare për dy muaj do të jetë në tre gjuhë

Qeveria e Maqedonisë për dy muaj do ta ketë gati ueb-faqen e saj zyrtare në gjuhën shqipe dhe angleze. Këtë e thonë për Portalb.mk, nga shërbimi qeveritar në lidhje me atë se pse ueb-faqja është vetëm në gjuhën maqedonase, njofton Portalb.mk.

“Sipas planit dhe dinamikës  së tanishme, presim që ueb-faqja e Qeverisë për dy muaj të fillojë me publikim të përmbajtjeve në gjuhën shqipe dhe angleze. Në rrjedhë është procesi i përgatitjes dhe sigurimit të kushteve teknike për përpunimin kualitativ të versionit të ueb-faqes së Qeverisë në gjuhën shqipe dhe angleze. Për momentin po përkthehen përmbajtjet statike të ueb-faqes. Deri në këtë moment janë përkthyer dhe janë publikuar disa dokumente kyçe si: Programi i Qeverisë për 2017-2020, Plani 3-6-9 dhe raporti për 100 ditët e Qeverisë. Plotësisht, për media sigurojmë përkthim në gjuhën shqipe të kumtesave dhe seancave të rregullta qeveritare. Të njëjtat së shpejti do të publikohen edhe në ueb-faqe”, thonë nga Qeveria.

Portalb.mk, ka kërkuar edhe nga Presidenca në lidhje me atë se kur pritet që edhe ueb-faqja e presidentit të jetë edhe në gjuhën shqipe, megjithatë nga atje ende nuk kanë dhënë përgjigje.

Ndryshe, për dallim nga Qeveria, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, ka ueb-faqe funksionale në 4 gjuhë, maqedonisht, shqip, anglisht dhe frëngjisht.

Ashtu siç mund të shihet, ueb-faqja është tërësisht funksionale, përfshirë këtu arkivin, por edhe kumtesat, të cilat janë publikuar në kohë reale në katër gjuhë.

Te ministritë çështja është e përzier, nga 15 ministritë (përfshirë edhe zv/ministritë të cilat kanë ueb-faqe të tyre), 9 prej tyre, ueb-faqet i kanë në tre gjuhë (maqedonisht, shqip, anglisht), 4 i kanë vetëm në maqedonisht dhe anglisht, tre i kanë vetëm në maqedonisht, ndërkaq dy i kanë vetëm në maqedonisht dhe shqip.

Zv/kryeministritë

Ministritë

Sa për krahasim, ueb-faqja e Qeverisë së Republikës së Kosovës, respektivisht ajo e Zyrës së Kryeministrit është në tre gjuhë: shqip, anglisht dhe serbisht. Ueb-faqja e qeverisë së Serbisë është në: serbisht, anglisht dhe italisht.

Sipas ligjit të ri për përdorimin e gjuhëve, i cili pritet që së shpejti të hyjë në fuqi, institucionet obligohen që ueb-faqet e tyre t’i kenë edhe në gjuhën e 20-të përqindëshit (shqipe).

Sipas Preambulës së Kushtetutës së RM-së, Maqedonia është konstituuar si shtet nacional i popullit maqedonas në të cilin sigurohet barazia e plotë dhe bashkëjetesa e përhershme e popullit maqedonas me shqiptarët, turqit, vllahët, romët dhe kombësitë tjera që jetojnë në RM.

Neni 1 i Amendamentit V të Kushtetutës së RM-së përcakton qartë: “Në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet e saj ndërkombëtare, gjuhë zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik. Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve, gjithashtu, është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, siç është përcaktuar me këtë nen… Çdo qytetar në komunikim me ministritë, mund ta përdorë njërën nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin të cilin e përdor qytetari…”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button